Analiza e DW: Greqia pa ndihmën e komunitetit ndërkombëtar do të falimentonte

schedule12:35 - 21 Gusht, 2018

schedule 12:35 - 21 Gusht, 2018

Dojçe Vele ka publikuar një koment për tejkalimin e krizës së Greqisë dhe nënvizon se pa ndihmën ndërkombëtare, shteti Helen do të falimentonte. Kjo media nënvizon se tashmë qeverisë së Athinës i është dhënë një shans i dytë, i cili nuk duhet çuar dëm.

Për tetë vjet me radhë BE demonstroi solidaritet të madh dhe tregoi që është e mundur që së bashku të arrihen rezultate të habitshme. Riparimi i rastit për falimentimin e Greqisë, megjithë gabimet që u bënë dhe me të gjitha momentet e vështira, që iu desh të kalonte popullit grek, është një sukses për Bashkimin Evropian dhe veçanërisht për shtetet e komunitetit të Euro-s. Në një koment, Dojçe Vele shkruan se kur më 2010 u bë e dukshme që shteti grek, përmes deficiteve shumë të larta, produktivitetit të ulët, pagave shumë të larta dhe konsumit privat tej mundësive, ndodhej në buzë të falimentimit, Evropa dhe Fondi Monetar ndërkombëtar vendosën që t’i ndihmojnë grekët. Për këtë nuk do të kishin qenë të detyruar. Marrëveshjet evropiane e përjashtojnë një “paketë shpëtimi” shprehimisht. Prandaj u ra dakord që Greqia të ndihmohet me kushte jashtëzakonisht të favorshme, në mënyrë që të kishte mundësi të plotësonte detyrimet e saj, për shembull të paguante rrogat e të punësuarve në shtet dhe pensionet.

Natyrisht që Eurozona nuk e bëri këtë hap vetëm për solidaritet, por edhe për interes vetjak, që të pengonte kalimin e krizës në pjesën tjetër të komunitetit monetar. U morën masa që edhe bankat në Gjermani, në Francë dhe në Spanjë të mos falimentonin dhe të përfundonin në humnerë së bashku me Greqinë. Por shtetet e Eurozonës dhe FMN mund të kishin vepruar edhe ndryshe, mund t’i kishin dëgjuar thirrjet e Kasandras se shpëtimi i Greqisë nuk do të jetë kurrë i mundur.

Pa kushte të ashpra, mëkëmbja financiare e Greqisë nuk do të kishte qenë e mundur. Shteti qe i detyruar t’i ulte në mënyrë drastike shpenzimet e tij të tepruara. Populli hoqi dorë nga të ardhura. Ekonomia u rrudh. Të gjitha këto masa të ashpra qenë të pashmangshme, sepse një jetë si më parë me borxhe, nuk qe e mundur të ecej më. Por në retrospektivë mund të thuash se shkurtimet mund të qenë organizuar me pasoja sociale më të durueshme për popullin. Kushtet qenë të nevojshme edhe për ta detyruar shtetin dhe ekonominë që të ndërmerrte reforma strukturore, të cilat nuk qe e mundur që të ndërmerreshin për dekada në Greqi. Kritikët e shumtë, që pohojnë herë pas here, se kreditorët e shkatërruan Greqinë me kursime, e kanë gabim, thekson Dojçe Vele. Pa masat rimëkëmbëse Greqia nuk do ta kishte ecur dot më përpara dhe do të ishte shkatërruar shumë shpejt – pra do të kishte dalë nga Eurozona, e shkëputuar krejtësisht nga burime financiare të çdo lloji.

Kryeministri populist i djathtë, Aleksis Cipras, që tani e lë veten ta festojnë si çlirues nga zgjedha e Trojkës e kuptoi këtë mjaft shpejt. Dojçe Vele më tej nënvizon se për disa muaj ai luajti rolin e kryengritësit të majtë, u ngrit së bashku me ministrin e tij të Financave me sjellje kllouni, Janis Varufakis kundër donatorëve. Në vitin 2015 ai e çoi vendin në kufi të paaftësisë për të paguar. Pas vështrimit në humnerë, Ciprasi mori kthesën dhe urdhëroi masa kursimi më të ashpra se kurrë më parë. Ngriti taksat, por njëkohësisht uli ritmin e reformave. Në tërësi ai u përshtat me kursin e shpëtimit të Eurozonës dhe këtë e shet tani si fitore. “Se pse ia besojnë grekët këtë, kjo mbetet çudi”, vijon më tej komenti.

Sido që të jetë, aventurat e Ciprasit dhe të Varufakisit i kushtuan vendit gati tri vjet të tjera nën ombrellën e shpëtimit dhe një rënie të rendimentit ekonomik. Tani ekonomia dalëngadalë po bën sërish përpjetë. Kjo nuk ka lidhje me idetë e qeverisë radikale të majtë në Athinë, por me kursin e peshuar të evropianëve. Që prej 21 gushtit, Greqia duhet të përballet sërish e vetme në tregjet financiare dhe të përpiqet të huazojë para me interesa të përballueshme. Kjo mund të dalë mbarë, vetëm kur çdo qeveri greke, e cila do të vijë në të ardhmen në pushtet, t’i përmbahet në mënyrë të hekurt disiplinës buxhetore dhe ta përmirësojë aftësinë për konkurrencë të vendit. Shansi i dytë, që ka Greqia tani, është fituar me mundim. Ai nuk duhet hedhur dëm. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!