Analiza e CNN: Trump po shkatërron Perëndimin

schedule20:23 - 12 Korrik, 2018

schedule 20:23 - 12 Korrik, 2018

Me deklaratën e fundit se, Shtetet e Bashkuara mund ta braktisin NATO-n, Donald Trump ka konfirmuar se po kthehet në asgjësuesin e Perëndimit. Në një analizë të detajuar, CNN vlerëson se qeverisja e presidentit amerikan me mentalitetin e biznesmenit po e kthen atë në një njeriun më të rrezikshëm për Europën, duke lënë pas edhe presidentin rus Putin.

Identiteti i Perëndimit, i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe i bazuar në institucione e vlera, kishte nisur të venitej që kur Donald Trump mori zyrtarisht detyrën një vit e gjysmë më parë. Por tani, me një qeverisje të stilit luftarak, presidenti amerikan rrezikon ta asgjësojë atë njëherë e përgjithmonë. Pa harruar këtu stilin analog të presidentit rus Vladimir Putin, i konsideruar si “shpirti binjak” i shefit të Shtëpisë së Bardhë. Dyshja është e aftë ta bëjë një gjë të tillë realitet dhe vetëm mendjet e kthjellëta në të dyja anët e Atlantikut mund ta ndalin, edhe pse deri tani nuk kanë dhënë asnjë sinjal se kanë ndërmend ta bëjnë një gjë të tillë. “Ajo që demokratët europianë dhe amerikanët euro-atlantikë duhet të kuptojnë është se Trump nuk është aleati i tyre dhe se për të traktati i NATO-s është vetëm një copë letër e pavlerë”, thuhet në analizën e CNN. Gjithashtu, është e kotë të përpiqesh ta bësh atë të arsyetojë dhe në këto kushte, Trump është më i rrezikshëm se Putin. “Trump duhet luftuar dhe kjo nuk do të thotë të shpëtosh ato që kanë mbetur nga rendi i epokës së Luftës së Ftohtë, por të mendosh për një rend të ri, i cili nëse nuk mund të krijohet i tëri njëherësh, të krijohet pjesë pjesë”, thuhet në analizë. Sipas CNN, Trump po përpiqet të zhvasë atë që ka mbetur nga Perëndimi i dikurshëm, që sot është i pushtuar nga bindjet nacionaliste. Ai nuk është jashtë linjave kur i quan organizatat perëndimore të ndryshkura, sikurse ka bërë me NATO-n. Dhe në fakt, Aleanca e sotme duket më demode se kurrë, me vendet anëtare në armiqësi dhe të paafta të zgjidhin sfidat e kohëve moderne si terrorizmi, emigracioni dhe ndryshimet e klimës. Në këto kushte, shkruan CNN, Trump e sheh organizatën si një klub ku europianët paguajnë Uashingtonin për mbrojtje dhe nëse nuk paguajnë më shumë, ai kërcënon me braktisjen e saj. Pa harruar këtu paaftësinë e Aleancës për t’u përballur e vetme me armikun tradicional numër 1 të saj, Rusinë. Për CNN, NATO zor se mund të bënte më shumë për të frenuar pushtimin rus të Ukrainës dhe aneksimin e Krimesë për një sërë motivesh. Kjo, pasi sot Bashkimi Europian po kalon krizën më të madhe të të gjitha kohërave, i tronditur nga Brexit dhe i sulmuar nga nacionalistët e ekstremit të djathtë. Nga ana tjetër tregtia globale vazhdon të thellojë hendekun mes veriut të pasur dhe jugut të varfër. “Trump me të drejtë i konsideron këto institucione të marra fund”, vijon CNN, “por për arsye të gabuara”. Së pari, thuhet në analizë, Trump gabon kur mendon se Amerika është më e fortë e vetme sesa me aleatët tradicionalë përkrah. Së dyti, gabimi i tij është transferimi i mentalitetit të biznesmenit në politikën e jashtme, duke e konsideruar një Europë të fortë dobësi për amerikën. Të njëjtin mentalitet ka edhe Rusia e Vladimir Putin dhe në këto kushte, Europës nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i marrin dy liderëve nga duart skenarin e përgatitur dhe të shkruajnë vetë fatin e tyre. por kjo kërkon një mendje gjithëpërfshirëse dhe jo përqeshje apo nacionalizëm të dhunshëm, që nuk di të bëjë gjë tjetër veçse të shkatërrojë – përfundon analiza e CNN. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!