Liderët e koalicionit qeverisës të Italisë, Salvini dhe Di Maio erdhën në pushtet me një sërë premtimesh. Por në një analizë, BBC vë në dyshim shanset për mbajtjen e tyre, duke marrë parasysh koston prej disa dhjetëra miliardë eurosh.
Qeveria e re populiste në Itali u betua duke i dhënë fund pasigurive politike, duke qetësuar tregjet, por edhe duke trembur disi politikën tradicionale europiane. Dy partitë që kanë formuar koalicionin, 5 Yjet dhe Liga e Veriut kanë rënë dakord për një program që synon të ringjallë ekonominë e tretë të BE-së, por në një analizë të detajuar, BBC shtron pyetjen sa i realizueshëm është ai? Sikurse shumë vende të kontinentit të vjetër, Italia u godit nga kriza financiare e vitit 2008, që e la ekonominë e saj 6 për qind më të ulët dhe me 3 milionë të varfër më shumë. Pasi hoqën dorë nga plani për të dalë nga Eurozona, Luigi di Maio dhe Matteo Salvini deklaruan se do të punojnë për një reformim të brendshëm të ekonomisë italiane. Por politikat e propozuara prej tyre kushtojnë disa dhjetëra miliardë euro, në një kohë kur Italia është vendi i dytë me borxhin më të madh në BE, plot 132 për qind të të ardhurave kombëtare vjetore. Konkretisht, dy liderët kanë premtuar se çdo familje e varfër do të marrë një ndihmë financiare prej 780 euro në muaj. Ideja është mjaft popullore, por kërkon një kosto prej 17 miliardë eurosh për t’u përmbushur. Një projekt tjetër është vendosja e dy taksave të sheshta, 15 dhe 20 për qind, që do t’u shkurtojë familjeve 3 mijë euro në taksa vjetore. Por nëse bëhet, të ardhurat prej 12.5 miliardë nga shitjet dhe rritja e akcizës do të bien. Ekonomistët vlerësojnë se shuma e nevojshme për projektet në fjalë, 50 miliardë euro, mund të sigurohet përmes rekuperimit të taksave të pambledhura; por sesa do të realizohet, kjo mbetet për t’u parë. Sa i takon reduktimit të borxhit, Di Maio dhe Salvini do të kërkojnë rishikimin e Paktit të BE-së për Rritjen dhe Stabilitetin, që e vendos në 3 për qind të GDP-së kufirin e deficitit. Bindja e vendeve të tjera anëtare për një ndryshim të tillë do të jetë e vështirë. Reforma e pensionit nga ana tjetër parashikon që minimali të jetë 780 euro në muaj dhe që kombinon moshën e punonjësve me sigurimet e derdhura. Kjo parashikon që dikush që paguan kontributet prej 41 vjetësh mund të dalë në pension në moshën 59-vjeçare. Rrjedhimisht, edhe kjo sjell një rënie të të ardhurave. Me pak fjalë, Salvini dhe Di Maio kanë bërë një seri premtimesh popullore, por nuk i kanë shpjeguar elektorateve përkatëse se si do t’i realizojnë ato./abcnews.al