Rusia po përshpejton zhvillimet në frontin e luftës, pasi aneksimi i katër rajoneve të Ukrainës duket se është në fokus të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili pritet t’i drejtohet këtë mbrëmje popullit të tij.
Sipas medieve pritet që Putini të kërkojë mobilizimin e plotë të ushtrisë ruse, pas disfatave që po person në Ukrainë.
Ky pritet të jetë mesazhi i parë i Vladimir Putin drejtuar popullit rus që prej fillimit të luftës në Ukrainë.
Ndërkohë BBC shkruan në mënyrë karakteristike se Putini po mban botën në pritje, pasi po vonon fjalimin e paralajmëruar.
Njoftimi nga Moska mbrëmjen e së martës i mobilizoi të gjithë. Sipas raporteve, Vladimir Putin do të mbajë një fjalim mbi situatën në Ukrainë.
Fjalimi do të transmetohej në orën 20:00 (me orën e Moskës), ndërsa do të shoqërohej dhe me një ndërhyrje televizive të ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Kanë kaluar dy orë pas orarit të planifikuar të presidentit rus, ende nuk është shfaqur në televizion.
“Vladimir Putin nuk njihet për njeri që i pëlqen t’i mbajë njerëzit në pritje, po e bën përsëri”, shkruan BBC.
Për shumë, kjo do të thotë disa orë shikim të detyrueshëm të televizionit shtetëror rus ndërsa presim fjalimin e paralajmëruar të presidentit.
Në kanalin kryesor të lajmeve, ata janë të zënë me prezantimin e “referendumit” të katër rajoneve të pushtuara në Ukrainë.
Askush nuk shqetësohet të shpjegojë se si mund të funksionojë një aneksim i tillë, kur pjesë të secilit prej atyre rajoneve kontrollohen nga forcat ukrainase. Në botën paralele të mediave sociale ruse, ka një panik të vogël për mundësinë e një thirrjeje të përgjithshme që mund të pasojë.
Autoritete ruse njoftuan sot se midis datave 23 deri 27 shtator do të mbahen referendum për të aneksuar në Rusi katër territore ukrainase.
Bëhet fjalë për rajonet:
1. Donetsk
2. Luhansk
3. Kherson
4. Zaporizhzhia
Katër rajonet ku priten të mbahen referendumet përbëjnë 15% të territorit të Ukrainës./abcnews.al/