Analiza e “Abissnet Superiore” / Goditjet drejt portës, cilat janë skuadrat me shifrat më të mira

schedule21:12 - 9 Janar, 2024

schedule 21:12 - 9 Janar, 2024

Kampionati “Abissnet Superiore” do të rikthehet këtë fundjavë për të nisur fazën e tretë të sezonit 2023/2024. Përsa i përket ecurisë të dy fazave të para është bërë një analizë e detajuar dhe janë nxjerrë disa të dhëna interesante që kanë të bëjnë me fazën ofensive dhe defensive.

Egnatia është skuadra që ka bërë më mirë deri më tani në këtë edicion dhe ka krijuar një avantazh prej gati dy ndeshjesh ndaj kundërshtarit më të afërt në renditje, Partizani.

Megjithatë ky nuk është një tregues i drejtpërdrejtë, pasi në këtë sezon edhe pse skuadrat kanë hasur shumë pengesa, nga ana tjetër surprizat kanë qenë të shumta.

Një nga arsyet kyresore që ndikon drejtpërdrejtë në performancën e ekipit është ndryshimi i trajnerit, pasi në këtë formë skuadra ndryshon mënyrën e lojës.

Pavarësisht se kryeson kampionatin, Egnatia nuk është skuadra që ka më shumë gjuajtje gjatë një ndeshje. Partizani kryeson me 12.35, i ndjekur nga Dinamo me 11.65, por Egnatia është skuadra që ka përqindjen më të lartë të saktësisë përsa i përket gjuajtjeve drejt portës.

Në 40% të rasteve rrogozhinasit kanë goditur portën. Dy sulmuesit e Egnatias, Vüsal Isgandarli (59%) dhe Gytis Paulauskas (52%) janë lojtarët që e ndihmojnë më shumë skuadrën, që ka regjistruar këtë statistikë të rëndësishme pas përfundimit të dy fazave të para.

Pas Egnatias, vijnë Tirana dhe Partizani me 37.8% të gjuajtjeve drejt portës gjatë një ndeshje.

Skenderbeu është skuadra që gjuan më pak me 8.9 goditje për ndeshje dhe ka përqindjen më të ulët të gjuajtjeve në kuadrat 29.6%.

Një në tre gjuajte e dërgojnë në kuadrat Teuta dhe Vllaznia, që së bashku me Skënderbeun mbyllin renditjen me përqindjen më të ulët të goditjeve në portë.

Në fazën defensive, skuadrat që kanë bërë më mirë në dy fazat e para të kampionatit janë Laçi dhe Vllaznia, që kanë marrë respektivisht 9.1 dhe 9.25 goditje drejt portës për ndeshje.

Ndërsa dy skuadrat që pësojnë më shumë gjuajtje drejt portës për ndeshje janë Kukësi me 14.18 goditje dhe Teuta me 12.13.

Këto të dhëna mund të ndryshojnë sërish në dy fazat e mbetura të kampionatit “Abissnet Superiore” dhe një ndikim shumë të madh do të ketë merkato dimërore./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!