Mario Këputa është i riu nga Durrësi që po garon në kampionatet botërore të shahut. Pasi fitoi disa çmime të rëndësishme në Shqipëri, ai tashmë ka vendosur të kalojë kufijtë.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Mario, i cili në profesion është analist politik i OSBE/ ODIHR, ka treguar si nisi dashuria e tij për pasionin e shahut.
“Unë e kam filluar herët shahun, diku nga mosha 6-7-vjeçare. Im atë u përpoq të ma mësonte. Ai luante shumë mirë, por problemi është që nuk dinte të ma mësonte, se mund të luash shumë mirë, por nuk di të ta mësosh, ta shpjegosh. Edhe unë kisha vështirësi për ta mësuar. Në një moment të jetës sime, unë lash kursin e anglishtes që vazhdoja çdo ditë dhe vazhdova shahun, vetëm për ta mundur dhe për t’i treguar që unë mund ta mësoja. Vazhdova kursin e shahut për dy vjet dhe u shpalla kampion i të rinjve të qytetit të Durrësit për dy vjet”, tha ai.
Më tej, Mario foli dhe për jetën private dhe sfidat që i është dashur të kalojë. Ai ka humbur të dy prindërit kur ishte në moshë të vogël dhe si pasojë është detyruar të bëhet shtylla e familjes, duke rritur dy motrat.
“Unë e kam humbur mamin në moshë 17-18-vjeçare dhe babain e kam humbur 2-3 vite më pas. Mamaja vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërsa babai pësoi një infarkt. E gjithë ajo gjendja ndodhi shumë shpejt për mua, por në fakt kur ti humb disa gjëra, fiton disa gjëra të tjera. Edhe unë ato gjëra që vlerësoj është se përkrah meje kam pasur gjithmonë njerëz shumë të mirë dhe suportues, miq, të afërm, gjithashtu dhe motrat e mija kanë qenë një përkrahje shumë e madhe për mua. Edhe pse kanë qene më të vogla, kemi qene gjithmonë shumë të bashkuar me njëri-tjetrin. Dua të vlerësoj të gjithë miqtë, familjen dhe të afërmit, të cilët më kanë dhënë një suport që unë mos të tërhiqem nga gjërat që unë dua, të fokusohem në gjërat që unë kam pasur ëndërr t’i bëj”, rrëfeu Mario./abcnews.al