Analistët komentojnë qëndrimet e Thaçit dhe Haradinajt ndaj Serbisë

schedule11:22 - 8 Qershor, 2019

schedule11:22 - 8 Qershor, 2019

Analistët në Kosovë janë të ndarë për sa i përket qëndrimeve të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

Ideja e shkëmbimit të territoreve e ka polarizuar skenën politike dhe atë ndërkombëtare vlerësojnë analistët. Vizita e fundit e kryeministrit Ramush Haradinaj në Gjermani për analistin Fisnik Halimi tregon qartë se ai është i orientuar kah Gjermania. Sipas tij, Haradinaj ka pozicion të gabuar strategjik.

“Qasja e presidentit Thaçi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është e duhura dhe e drejta në raport me atë të kryeministrit Haradinaj”.

Por ndryshe mendon analisti tjetër Taulant Kryeziu.

“Qasja më e duhur është ajo që respekton deklaratën e pavarësisë së Kosovës së 17 Shkurtit 2008 dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbi 100 njohje të shteteve të tjera që e kanë njohur Republikën e Kosovës”.

Halimi e Kryeziu gjithashtu kanë qëndrime të ndryshme rreth rolit të Gjermanisë në këtë proces.

“Çdokush që kupton nga marrëdhëniet ndërkombëtare duhet kuptuar drejt që problem Kosovë-Serbi është një problem që mund të zgjidhet vetëm e vetëm në Këshillin e Sigurimit, me pajtimin rus, amerikan dhe kinez”, thotë Halimi.

“Nuk ka mundësi të ketë marrëveshje pozitive nëse Gjermania dhe SHBA-ja nuk janë në të njëjtën anë të medaljes”, shprehet Kryeziu.

Gjermania disa herë është shprehur qartë dhe prerë kundër ndarjes së Kosovës, derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë çështje ia kanë lënë në duar palëve dialoguese, duke thënë se pranojnë çdo marrëveshje të arritur mes tyre që nuk e destabilizon rajonin./ABC News Albania 24/7