Politologu Alban Daci thotë se rikthimi i jetës parlamentare në normalitet është një lajm i mirë dhe pozitiv për demokracinë në vend.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Daci u shpreh se në një vend demokratik, për amnistinë penale, nuk duhet të ketë konsensus me kushte.
Sipas Dacit, beteja e Rithemelimit në dy vitet e fundit, ka qenë vetëm për Sali Berishën.
“Sigurisht që fakti i rikthimit të jetës parlamentare në normalitet, është një lajm shumë i mirë, pozitiv, edhe për demokracinë në tërësi. Por kjo lloj arritjeje duhet të na çojë në disa pyetje, pse duhet të ishim në anormalitet këto 6 muaj? Çfarë kostoje ka pasur? Kjo marrëveshje aktuale, a e justifikon betejën e një anormaliteti, e cila përtej problematikave të perhershme, ka sfida shumë më të rëndësishme. Unë mendoj se amnistia nuk duhet të ishte fare temë për diskutim. Amnistia është një detyrim ligjor në një vend demokratik. Në vendet demokratike, burgu nuk duhet konsideruar formë ndëshkimi, por rehabilitimi i personave të caktuar, që në rrethana të caktuara kanë kryer vepra penale.
Në vendet demokratike, amnistia duhet të ishte konsensus pa kushte. Ne e dimë shumë mirë që beteja e dy viteve të fundit, që nga akti i zotit Basha për të pezulluar ish liderin historik pas shpalljes “non grata”, e gjitha kjo betejë, ishte e personifikuar, bëhej vetëm për ish liderin historik, Sali Berisha. Ka pretendimet e tij legjitime, të pretendojë që është i pafajshëm, por personifikimi i tij nuk duhet të ishte kauzë për opozitën dhe opozita nuk duhet të ishte në shërbim të një lideri.
Për t’u faktorizuar, për të pasur iluzione se mund të ketë tërheqje nga “non grata”, që ka sinjale se nuk do e ketë. Iluzione se Berisha mund të ketë një farë amnisti politike për të dalë nga situata në të cilën ndodhet. Mendoj se është një marrëveshje e sforcuar, kanë menduar të eleminojnë politikisht edhe zotin Basha”, theksoi ai./abcnews.al