Amnistia fiskale deri 2 mln euro, Tabaku: Përfitojnë të korruptuarit, kthen në legale procesin e pastrimit të parave

schedule16:23 - 25 Qershor, 2022

schedule 16:23 - 25 Qershor, 2022

Kujt i duhet dhe përse tani amnistia fiskale?, shtron pyetjen deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ndërsa reagon për draft-ligjin e bërë publik një ditë më parë nga qeveria.

Projekt-ligji i hedhur për konsultim publik, parashikon që të gjitha ata, përjashtuar zyrtarët e lartë dhe politikanët, që zotërojnë pasuri deri në 2 milionë euro apo 2 miliardë lekë, t’i formalizojnë ata përmes deklarimit. Por Tabaku thotë se synimi nuk janë qytetarët por zyrtarët që kanë akumuluar pasuri përmes vjedhjeve dhe korrupsionit.

Tabaku: Draft ligji favorizon ato që për 30 vite kanë fshehur pasuritë dhe ndëshkon ato që për 30 vite kanë paguar një më një taksat dhe kanë qenë korrekt me ligjin dhe shoqërinë. Është një rrugë e pandershme për të mbrojtur me ligj ato që kanë fshehur pasuritë e tyre korruptive duke i ruajtur me fanatizëm fshehtësinë e identitetit dhe deklarimit duke promovuar kështu ilegalin dhe banditin e mundshëm përpara qytetarit dhe ndershmërisë së këtij të fundit.

Lexo edhe: Amnisti parave informale: Deklarim vullnetar deri në 2 mln €, përfitojnë disa kategori

Deputetja e PD-së pretendon se amnistia është ligj i porositur dhe shkatërron konkurrencën në treg, barazinë para ligjit dhe punën e ndershme

Tabaku: Amnistimi i pasurive deri në 2 mln euro nuk ka asnjë bazë dhe lidhje me emigrantët që kanë vite që jetojnë e punojnë jashtë edhe që vazhdimisht kanë kontribuar në vendin e tyre. Amnistia fiskale dhe penale e kthen në legale procesin e pastrimit të parave ndërsa vendi është nën monitorim të ngushtë nga MoneVval dhe një sërë institucionesh të tjera ndërkombëtare.

Në amnisti do të përfshihen të gjitha të pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të krijuara deri në datën 1 janar 2022. Në draft parashikohet që  personat të cilët do të vetdëklarojnë të ardhurat informale nuk do të  preken nga ligji për ndjekje penale. Nëpërmjet amnistisë u jepet mundësi edhe bizneseve që të formalizojnë bilancet e tyre pasi shumë subjekte funksionojnë me dy  të tilla. A do të pësojë ndryshime në vijim, kjo mbetur për tu parë, kur do të nis diskutimi në Kuvend për të./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!