Amnisti parave informale: Deklarim vullnetar deri në 2 mln €, përfitojnë disa kategori

schedule14:34 - 24 Qershor, 2022

schedule 14:34 - 24 Qershor, 2022

Nga Erblina Mile 

Qytetarët  shqiptarë rezident apo  emigrantët që kanë të ardhura informale ose pasuri  mund t’i deklarojnë ato duke përfituar amnisti deri në vlerën 2 mln euro.

Qeveria ka publikuar draftin e rishikuar i cili është hedhur për konsultim publik 2 vite pas variantit të parë.

Në amnisti do të përfshihen të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të krijuara deri në datën 1 janar 2022 dhe nga kjo nismë nuk mund të përfitojnë zyrtarët e lartë apo politikanët.

Qytetarët apo bizneset që do deklarojnë do të duhet të paguajnë një tatim i cili ndahet në dy fasha.

Nëse vetëdeklarimi do realizohet në 4 muajt e parë pas hyrjes në fuqi të ligjit, tatimi do të jetë 7%, ndërsa pas kësaj periudhe  pasuria do të tatohet me 10% të vlerës.

Gjithashtu në draft parashikohet që  personat të cilët do të vetëdeklarojnë të ardhurat informale nuk do të  preken nga ligji për ndjekje penale.

Ata persona që do të deklarojnë të ardhurat  informale nuk do të mund ti tërheqin ato për një periudhë 5 vjeçare  që nga momenti i depozitimit të tyre.

në përfundim të procedurës së deklarimit vullnetar. Nëse do të kërkojnë që ti transferojnë këto të ardhura do tu   mbahet  penalitet në masën 30%.

Nëpërmjet amnistisë  u jepet mundësi edhe bizneseve që të formalizojnë bilancet e tyre pasi shumë subjekte funksionojnë me dy  të tilla.

Për të realizuar deklarimin e pasurisë do të ngrihet një njësi e posaçme  në varësi të drejtorisë së tatimeve e cila do të ruajë konfidencialitetin e çdo personi që do të vetëdeklarojë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër nismës së amnistisë fiskale  me arsyetimin se kjo do të nxisë futjen në qarkullim të parave të pista.

Amnistia fiskale dhe penale  është parashikuar të zgjasë për një periudhë 9-mujore  që nga momenti i  hyrjes në fuqi e këtij projektligji./Abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!