Amerikë, shëroje veten!

schedule23:00 - 23 Nëntor, 2020

schedule 23:00 - 23 Nëntor, 2020

Nga Ana Palacio“Project Syndicate”

Në vitin 1998, Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright i përcaktoi Shtetet e Bashkuara si “kombin e domosdoshëm” për botën, duke deklaruar ndër të tjera:”Ne qëndrojmë lart, dhe shohim më larg se sa vendet e tjera në raport me të ardhmen”.

Dy dekada më vonë, SHBA-ja mbetet ende kombi i domosdoshëm për globin. E megjithatë,kohët e fundit në vend se ta shihte të ardhmen, ajo dukej se i kishte mbyllur sytë. A do të thotë fitorja e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të këtij muaji se SHBA, se po i rihap ato?

Një gjë është mëse e dukshme:nëse Donald Trump do të fitonte një mandat të dytë, fati i SHBA-së së Albright do të ishte vulosur. Amerika që ka qenë prej kohësh drejtuese e rendit liberal ndërkombëtar – i formuar bazuar mbi nga parimet universale të përcaktuara në Kartën e Atlantikut të vitit 1941 – do të ishte shkatërruar njëherë e përgjithmonë.

Por nga ana tjetër presidenca e afërt e Biden, nuk garanton kurrsesi një rikthim në udhëheqjen amerikane të botës në të vizionit të dikurshëm. Po, zgjedhjet e 3 Nëntorit prodhuan një fitore të qartë. Biden fitoi mbi 79 milion vota, më shumë se sa çdo president tjetër në historinë e SHBA-së.

Dhe ai fitoi të njëjtin numër votash në Kolegjin Zgjedhor si Trumpi në vitin 2016, kur pretendoi të kishte korrur një “fitore të madhe”, pavarësisht se e kishte humbur votën popullore përballë Hillary Clinton.Gjithsesi, Trump mori më shumë se 73 milion vota këtë vit – rreth 10 milionë vota më shumë se në 2016-ën, dhe numrin e dytë më të madh të votave të marra ndonjëherë nga një kandidat presidencial në SHBA.

Dhe pretendimet e tij të pabazuara për manipulimin e përhapur të votës – të mbështetura nga shumica e institucioneve të Partisë Republikane, që deri më tani kanë refuzuar ta njohin fitoren e Biden – kanë bindur rreth gjysmën e republikanëve amerikanë, se ai është fituesi “i ligjshëm” i zgjedhjeve.

Larg refuzimitnë shumicë të Trumpit dhe Trumpizmit, zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA,dëshmuan se ndikimi i Trump, do të shtrihet përtej presidencës së tij. Kjo do të thotë se sfidat e tij të vazhdueshme kundër rezultatit të zgjedhjeve – në gjykata dhe në vetëdijen publike – do ta lënë hijen e tyre mbi demokracinë e Amerikës, dhe reputacionin e saj ndërkombëtar.

Sigurisht, kjo trashëgimi nuk ka të ngjarë qëtë ndihet plotësisht në nivel ndërkombëtar në një periudhë të afërt. Administrata Biden, do të synojë të rikonfirmojë rolin e Amerikës në institucionet shumëpalëshe. Presidenti i zgjedhur, ka premtuar t’i ribashkohet MarrëveshjessëKlimës së Parisit, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhe marrëveshjes bërthamore të Iranit.

Veprime të tjera të mundshme, përfshijnë zhbllokimin e emërimeve në Organin e Apelit të Organizatës Botërore të Tregtisë, përgjegjës për gjykimin e mosmarrëveshjeve midis vendeve anëtarë, një veprim që ka një rëndësi praktike dhe simbolike.

Por, ndërsa këto lëvizje janë të rëndësishme për multilateralizmin, pritshmëria që SHBA të rimarrë me shpejtësi rolin e saj si udhëheqëse e botës, duhet të ulet disi. Edhe pse mbetet fuqia ushtarake dhe ekonomike dominuese botës, si dhe një forcë e madhe kulturore, SHBA-ja nuk është një hegjemone.

Ajo nuk mund të diktojë më drejtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Por ajo që mund të bëjë ende Uashingtoni, është të mobilizojë aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë për të adresuar sfidat e përbashkëta. Megjithatë, në rast se SHBA-ja nuk shëron sot ndarjet e saj të brendshme, edhe kjo“fuqi evokuese” –që qëndron në zemër të përpjekjeve të mundshme të hershme të Biden për të rivendosur multilateralizmin – ka të ngjarë të bjerë në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Dhe evokimi i fuqisë, është më i nuancuar se fuqia e papërpunuar hegjemonike. Ai mbështetet jo vetëm tek kapaciteti dhe ndikimi, por edhe tek një ndjenjë e autoritetit moral që i josh partnerët dhe që prodhon veprime të përbashkëta dhe legjitime.

Një fuqi e tillë duhet të japë një shembull të liberalizmit dhe multilateralizmit, dhe jo vetëm të bëjë pretendime. Një vend i ndarë, siç është sot SHBA-ja, nuk mundetqëta japënjë shembull të tillë.Por pse të mos drejtojë dikush tjetër, mund të pyesë dikush? Thjesht, sepse askush tjetër nuk mundet.

Nuk ka asnjë aktor të vetëm, apo edhe një koleksion aktorësh, që është gati ta zërë vendin e Amerikësnë udhëheqjen globale. Shihni Bashkimin Evropian, që po fantazon prej kohësh se mund të jetë një ruajtëse e mundshme e standardeve të vlerave liberale.

Sigurisht,unioni zotëron shumë prej atributeve: një kulturë e gjallë dhe e larmishme, një shoqëri civile dinamike, sisteme të mirë-institucionalizuara për përkrahjen e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit, dhe një angazhim ndaj multilateralizmit.

E megjithatë,BE-ja çalon në shumë zona jetike për udhëheqjen globale. Mungesa e vullnetit politik, ka bërë që Evropa të shpërndajë vazhdimisht burimet e saj. Për pasojë, ajo nuk ka arritur të ndërtojë kapacitetet e duhura, dhe as të krijojë kushtet për ta bërë këtë.

Për shembull, udhëheqësit e BE këmbëngulin se Evropa duhet të arrijë një“autonomi strategjike”, pa u dakordësuar me të gjithë se çfarë do të thotë kjo. Nga ana tjetër, BE-së i mungon vetë-siguria që do t’i duhej për të shërbyer si një shembull i besueshëm dhe bindës për botën. Në fillim,BE duhet të mësojë të ecë me këmbët e veta.

Në qoftë se dhe derisa kjo gjë të ndodhë, SHBA-ja do të jetë e domosdoshme, pasi ajo është ende e pazëvendësueshme. Kjo e bën gjithnjë e më të rëndësishme për administratën Biden, jo vetëm ri-angazhimin me botën, duke pasur sistemin multilateral si një fuqi frymëzuese, por edhe për të gjetur një mënyrë për të shëruar vetë SHBA-së.

Vetëm një Amerikë e bashkuar, mund të qëndrojë e gjatë në këtë rol, të shohë përpara,

dhe të shërbejë si zemra e rendit liberal ndërkombëtar.

Shënim:Ana Palacio, ish-ministre e Jashtme e Spanjës, është aktualisht lektore nëUniversitetin Xhorxhtaun në SHBA.

Përktheu:Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!