Shqipëria është një destinacion turistik që duhet vizituar këtë verë. Kështu shkruan website amerikan i udhëtimeve, Traveling Lifestyle.
Sipas artikullit të publikuar, janë tetë arsye për të cilat duhet vizituar Shqipëria në verën e vitit 2023.
Në vend të parë renditen plazhet, të cilësuara disa prej tyre si më të mirat në Europë. “Turistët zgjedhin plazhet me rërë ose me guralecë, sepse Shqipëria i ka të dyja llojet. Aventura në plazh fillon pas Qafës së Llogaras. Më pas shtrihet përgjatë rivierës shqiptare deri në Ksamil”, shkruan artikulli.
Muzetë, ku pjesa më e madhe e tyre ndodhen në Tiranë, janë një tjetër arsye duhet vizituar vendi ballkanik.
Website amerikan vlerëson ushqimin. Sipas tyre, kuzhina shqiptare përfshin gjëra të shijshme si ullinj vendas, byrek, djathë të punuar me dorë.
Kafeja shqiptare nuk duhet lënë pa u provuar. Sipas artikullit, kafeja është e rrënjosur në kulturën shqiptare dhe vendasit e pinë me çdo vakt.
Një arsye tjetër janë Alpet Shqiptare, të njohura si Bjeshkët e Nemuna, që ofrojnë një spektakël mahnitës.
Website amerikan vlerëson mikëpritjen, ku shqiptarët përshkruhen si një nga popujt më miqësorë në të gjithë botën.
Traveling Lifestyle, shkruan gjithashtu se Shqipëria është shtëpia e disa prej mrekullive më interesante arkeologjike, si dhe vendi i shumë mrekullive të UNESCO-s të botës. Disa qytete nuk duhen humbur, si Apolonia, Butrinti etj.
Një arsye e fortë pse duhet viztuar Shqipëria janë çmimet e lira. Sipas artikullit, pas pandemisë çmimet e hoteleve dhe ushqimeve u rritën në destinacione turistike në Evropë si Kroacia, Italia apo Greqia, ndërsa në Shqipëri janë të përballueshme./abcnews.al