Sipas një sondazhi të CBS Neës, 41% e amerikanëve nuk mbështesin politikat e presidentit Trump. Është edhe më i madh, rreth 67% numri i të intervistuarve që mendojnë se Amerika po qeveriset më keq se një vit më parë.
Amerikanët që kundërshtojnë politikat e presidentit Donald Trump janë thuajse gjysma e popullsisë. Kështu tregon një sondazh i realizuar nga CBS Neës, sipas të cilit 41 për qind e qytetarëve në Shtetet e Bashkuara nuk e aprovojnë vendimmarrjen e shefit të Shtëpisë së Bardhë. I publikuar në ditët e fundit, sondazhi e etiketon me termin “rezistenca” 41-përqindëshin që i kundërvihet presidentit më të fuqishëm të botës. Ndërkohë, mbështetësit e Trump, ose ata që besojnë tek ai, kanë rënë nga 22 në 18 për qind përgjatë vitit të fundit.
Pyetjeve të sondazhit, 43 për qind e të intervistuarve i janë përgjigjur se vendi është më keq se ç’ishte para se Trump të merrte detyrën. 44 për qind e te pyeturve në sondazh shprehen se ndihen të turpëruar që kanë një president si ai, ndërsa 67 për qind kanë thënë se u duket qe kreu i shtetit po punon kundër tyre.
Ndërkohë, krahas shqetësimeve për drejtimin që po merr vendi, njerëzit kanë shprehur shqetësim edhe sa i takon fenomenit të racizmit. 59 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se ndasitë etnike janë përkeqësuar, që kur Trump mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Në vijim të pyetësorit, 39 për qind janë identifikuar si demokratë, ndërsa 33 për qind si republikanë. Në sondazhin e CBS janë pyetur 1654 persona. Ai është realizuar në periudhën 10-12 janar, kohë kur Trump bëri deklarata raciste, duke i cilësuar si “llumi i botës” disa vende nga shkojnë emigrantë në SHBA./abcnews.al