Amerika ndërmerr hapa për sigurimin e mineraleve thelbësore

schedule17:42 - 23 Shkurt, 2022

schedule 17:42 - 23 Shkurt, 2022

Administrata e Presidentit Joe Biden njoftoi të martën veprimet e ndërmarra nga qeveria federale dhe industria private, për të cilat thotë se do të forcojnë zinxhirin e furnizimit me minerale të rralla dhe thelbësore. Këto minerale janë të rëndësishme për ndërtimin e komponentëve që përdoren që nga pajisjet shtëpiake e deri tek pjesët përbërëse elektronike në industrinë e mbrojtjes. Qeveria amerikane thotë se këto veprime do ta ulin varësinë e Shteteve të Bashkuara nga Kina, eksportuesi kryesor i mineraleve të rralla.

Mineralet e ralla dhe të rëndësishme, si litiumi dhe kobalti, janë thelbësore në prodhimin e avionëve luftarakë. Kjo vlen edhe për makinat, kompjuterat, telefonat dhe praktikisht të gjitha pajisjet elektronike të konsumit. Aktualisht, Kina kontrollon pjesën më të madhe të tregut global të këtyre mineraleve.

“Nuk mund të prodhojmë mallra amerikane, nëse varemi nga Kina për materialet thelbësore që bëjnë të mundur pajisjet e sotme dhe të së ardhmes”, tha Presidenti Biden duke nënkuptuar rëndësinë e sigurimit të mineraleve të rralla që përdoren për prodhimin e një game të gjerë pajisjesh.

Presidenti Joe Biden njoftoi të martën veprimet e ndërmarra nga qeveria federale dhe industria private, për të cilat thotë se do të forcojnë zinxhirin e furnizimit me minerale të rralla the kritike. Hapat përfshijnë një kontratë prej 35 milionë dollarësh me kompaninë “MP Materials” për përpunimin e mineraleve të rralla në fabrikën e saj në Kaliforni.

“Investimi i qeverisë do të jetë pjesë e 700 milionë dollarëve që firma jonë do të investojë deri në vitin 2024 për të krijuar një furnizim të vazhdueshëm me materiale magnetike të prodhuar nga minerale të rralla. Siç e thatë ju, këto minerale kanë rol thelbësor për ekonominë tonë dhe kalimin tek energjia e pastër”, tha James Litinsky, shef ekzekutiv i firmës “MP Materials”

Në fakt këto minerale nuk janë të rralla, por nxjerrja e tyre është e vështirë dhe përpunimi miqësor me mjedisin ka kosto të lartë. Sipas të dhënave të fundit të qeverisë, minierat amerikane zënë vendin e dytë pas Kinës për nxjerrjen dhe përpunimin e këtyre mineraleve. Ato janë thelbësore për kalimin tek energjia e pastër.

Phoebe Moon është studente e doktoraturës në Universitetin e Kalifornisë në Irvine, e fokusuar në studimet mbi zinxhirin global të furnizimit.

“Po përdorim më shumë energji hidrike, më shumë burime energjie miqësore me klimën dhe mjedisin. Synimi i qeverisë amerikane për mineralet e ralla ka në thelb pikërisht këtë objektiv”.

Ndër hapat e tjerë të njoftuara nga Presidenti Biden përfshihet një projekt pilot për rikuperimin e mineraleve kritike nga mbetjet e minierave dhe projekte për riciklimin e përbërësve të baterive.

Ditë më parë Pekini njoftoi sanksione, që synojnë kufizimin e qasjes tek mineralet e rralla për firmat amerikane “Lockheed Martin” dhe “Raytheon”, që ofrojnë shërbime të mirëmbajtjes për sistemet e raketave mbrojtëse të Tajvanit. Kina e konsideron Tajvanin si provincë separatiste.

Muajin e kaluar ligjvënësit prezantuan një projekt-ligj dypartiak në Senatin amerikan që do të ndalonte deri në vitin 2026 kompanitë kontraktore në fushën e mbrojtjes, që të importojnë minerale të rralla nga Kina. Kjo do ta detyronte Pentagonin që deri në vitin 2025 të krijonte një rezervë strategjike të këtyre mineraleve./VOA