Amerika na do të qetë!

schedule10:00 - 9 Nëntor, 2021

schedule 10:00 - 9 Nëntor, 2021

Nga Edi Oga

Nëse ka diçka me vlerë për kombin tonë, në historinë e tij moderne, është vëmendja dhe dashuria e Amerikës!

Jemi me fat që Amerika na do, ose i duhemi, pak rëndësi ka. Më mirë le të themi i duhemi, se sa për dashuri, ne si shqiptarë nuk duam as njëri-tjetrin, jo më të na dojë dikush jashtë nahijes sonë.

Henry Kissinger, ky “statist” i madh i Amerikës, ka thënë: Amerika nuk ka armiq të përhershëm apo miq të përhershëm, ka vetëm interesa!

Le të falenderojmë Zotin që Amerika, superfuqia e Botës, ka interesa tek ne! Se pse, se çfarë, se si, pak rëndësi ka. E rëndësishme është që ne si Shqipëri apo më gjerë, si shqiptarë, figurojmë në hartën e saj të interesave.

Ne duhet të përfitojmë nga ky fakt dhe të ndërtojmë ekzistencën dhe mbrothësinë tonë nën këtë ombrellë fatlume ideologjiko-politike.

Amerikës i duhemi vetëm nëse jem të qetë!

Cilido pushtetar, cilido politikan, cilado organizatë politike ose jo punon për të garantuar qetësinë e njerëzve të këtij vendi, mbështetet nga Amerika. Gjërat ndryshojnë tërësisht kur Amerika nuk na do të qetë. Në atë rast, Amerika mbështet ata që garantojnë prishjen e qetësisë.

Për momentin Amerika na do të qetë. Na do stabël. Demokraci apo tjetër, sot Amerika nga ne pretendon dhe urdhëron stabilokraci.

Amerika na do të qetë!

Kryeministri aktual ka dhënë garanci dhe po punon mirë në këtë aspekt.

Berisha dhe Basha, krerët e opozitës, sikur po i trazojnë pak ujërat e qetësisë.

Amerika i ka nën vëzhgim dhe kërkon nga palët që në përfundim të kësaj “beteje”, qetësia e madhe të mos prishet.

Përndryshe kush i prish, do të ketë probleme me Amerikën.

Për këtë qëllim, persona me ngarkesa të ndryshme politike dhe detyra administrative, vizitojnë Shqipërinë dhe takojnë protagonistët e qetësisë.

Një grup i vogël prej tyre dje vizituan Shqipërinë.

Për të monitoruar nivelin e qetësisë dhe për t’i hedhur një sy afganëve. Sepse edhe ata i duhen të qetë! /abcnews.al

**Përmbajtja është përgatitur ekskluzivisht për abcnews.al, ndalohet riprodhimi online pa lejen me shkrim të redaksisë!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!