Nga Helene Gayle, Gordon LaForge& Anne-Marie Slaughter, Foreign Affairs
Pas një samiti virtual të premten e kaluar, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Indisë, Japonisë dhe Australisë, njoftuan se do të bashkëpunonin për t’i dhënë 1 miliard doza vaksinash vendeve më të varfra të Indo-Paqësorit, duke kundërshtuar drejtpërsëdrejti fushatën e Kinës në shpërndarjen e vaksinave anti-Covid.
Marrëveshja bën bashkë kapacitetet prodhuese, financimet, logjistikën dhe ndihmën teknike amerikane, japoneze, indiane dhe australiane, për të ndihmuar në vaksinimin e qindra miliona njerëzve deri në fundin e vitit 2022. Mediat theksonin në raportimet e tyre se administrata e presidentit amerikan Joe Biden po përgatitej që të rikuperonte kohën e humbur në diplomacinë globale të vaksinave.
Administrata e SHBA-së hodhi një hap të mëtejshëm në këtë drejtim, duke deklaruar javën e shkuar se do t’i huazonte Meksikës dhe Kanadasë 4 milion doza të vaksinës AstraZeneca. Këto nisma janë të vonuara.
Rusia dhe Kina kanë tregtuar në mënyrë agresive vaksinat e tyre në vendet e huaja, kryesisht për të çuar përpara synimet e politikës së jashtme. Moska po e përdor vaksinës Sputnik për të forcuar imazhin e saj, perspektivën e investimeve ruse jashtë vendit, si dhe për të krijuar përçarje mes vendeve të BE-së.
Edhe Kina po dhuron doza vaksinash për të fituar ndikim tek mosmarrëveshjet territoriale, dhe për ta zgjeruar ndikimin e saj në kuadrin e Nismën e Brezit. Si Moska po ashtu edhe Pekini, janë përpjekur të mposhtin Shtetet e Bashkuara në oborrin e vet duke furnizuar me vaksina Amerikën Latine.
Administrata Biden ka të drejtë që dëshiron që të marrë një rol udhëheqës në vaksinimin e botës, për një mori arsyesh interesante dhe altruiste. Por ajo nuk duhet të bjerë në grackën e përpjekjes për të mposhtur Rusinë dhe Kinën në lojën e tyre, pra duke shpërndarë vaksina në vende të veçanta, bazuar në rëndësinë e tyre gjeostrategjike dhe sasinë e vëmendjes që po marrin nga fuqitë rivale.
Përkundrazi, Biden duhet të ndjekë një lloj qasjeje gjithëpërfshirëse. Administrata e tij duhet të përqendrohet më pak tek avantazhi strategjik, dhe më shumë në vaksinimin e numrit më të madh të njerëzve në të gjithë botën në kohën më të shkurtër të mundshme. Shtetet e Bashkuara kanë mobilizuar me sukses edhe në të shkuarën burimet e tyre ndërkombëtare për t’iu përgjigjur krizave rajonale. Në vitin 2003, presidenti George W.Bush nisi zbatimin e Planit të Emergjencës së Presidentit të SHBA-së për Ndihmën në luftën kundër HIV-AIDS (PEPFAR), programi më i madh global shëndetësor në histori i fokusuar tek një sëmundje e vetme.
PEPFAR bëri bashkë agjencitë amerikane, kompanitë private dhe grupet lokale të shoqërisë civile për të ndihmuar Afrikën sub-Sahariane dhe Azinë Juglindore që të vinin nën kontroll krizën e AIDS-it, duke shpëtuar miliona jetë.
Në vitin 2004, një cunami në Oqeanin Indian shkaktoi më shumë se 220.000 të vdekur dhe miliarda dëme. Edhe në këtë rast Shtetet e Bashkuara drejtuan një operacion humanitar të rimëkëmbjes që përshpejtoi rindërtimin e zonave të shkatërruara dhe ndërtoi një vullnet të mirë të qëndrueshëm në Azinë Jugore dhe Juglindore.
Biden mund të përmirësojë precedentin e Bush duke qenë një udhëheqës, dhe ai tashmë po hedh hapa në këtë drejtim. Nën presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara refuzuan të merrnin pjesë në nismës COVAX, një partneritet ndërkombëtar që synon të garantojë shpërndarjen e vaksinave anti-Covid për të gjithë botën.
Administrata Biden e anuloi menjëherë atë qëndrim, duke kontribuar me 4 miliard dollarë, dhe shndërruar Shtetet e Bashkuara në donatorin më të madh të kësaj nisme. SHBA-ja ka përpara një mundësi të rëndësishme për të provuar se demokracia është më superiore se sistemet autoritare dhe që idealet amerikane janë me të vërtetë universale.
Duke ofruar një model të bashkëpunimit global, i cili mbështet mbi një gamë shumë më të gjerë burimesh sesa ka mundësi të sigurojë çdo tjetër, Shtetet e Bashkuara mund të drejtojnë një fushatë globale të vaksinimit që mbështetet mbi pikat e forta të shoqërisë së saj të hapur dhe pluraliste.
Pandemia e Covid-19 është katastrofa më e madhe humanitare dhe ekonomike e kohëve moderne. Deri tani kanë humbur jetën 2.6 milion njerëz. Sipas Bankës Botërore, pandemia ka zhyti në varfëri ekstreme 124 milion njerëz. Ndërkohë “The Economist”, vlerëson se 2 vjet pandemi do t’i kushtojnë botës 10.3 trilionë dollarë, një rënie për të cilën Banka Botërore vlerëson se është 2 herë më e madhe se Recesioni i Madh i viteve 1929-1933.
Tek e fundit mënyra e vetme për ta ndalur këtë kolaps është vaksinimi global. Administrata Biden ka mësuar një leksion të rëndësishëm nga reagimi i qeverisë amerikane ndaj krizës financiare të vitit 2008:mos ki frikë të bësh gjëra të mëdha.
Plani Amerikan i Shpëtimit bën pikërisht këtë gjë, duke injektuar 1.9 trilionë dollarë në shumë pjesë të ndryshme të ekonomisë së SHBA-së. Administrata duhet të ketë parasysh të njëjtin leksion kur bëhet fjalë edhe për vaksinimin e botës.
Një përpjekje e gjithanshme në këtë drejtim, do të ketë ndikimin më të madh dhe të shpejtë në luftën kundër Covid-19, dhe ndikimi që do të jetë tërësisht në interesin e vet Amerikës. Një studim nga Grupi Eurazia, vlerëson se vaksinimi i kombeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të gjeneronte të paktën 153 miliardë dollarë fitime për Shtetet e Bashkuara dhe 9 ekonomi të tjera të zhvilluara në vitin 2021, dhe deri në 466 miliardë dollarë deri në vitin 2025.
Edhe nëse SHBA e vaksinon të gjithë popullsinë e saj, rimëkëmbja e saj ekonomike do të jetë e dobët për aq kohë sa partnerët e saj tregtarë nuk kanë një qasje të plotë tek vaksinat dhe teksa pandemia vazhdon. Siç e ka thënë vetë Biden:“Ne nuk do të jemi të sigurt derisa e gjithë bota të jetë e sigurt”.
Për më tepër, pandemia e sotme nuk do të jetë e fundit. Partneritetet dhe infrastruktura e shëndetit publik që po ndërton SHBA për të vaksinuar botën nga ky koronavirus, do ta mbrojnë gjithashtu atë kundër patogjenit tjetër vdekjeprurës. Mbrojtja e kombit amerikan, nga sëmundjet infektive nuk mund të jetë e ndarë nga mbrojtja e botës.
Një fushatë serioze globale e vaksinimit kundër Covid-19, do të shënonte fillimin e një epoke shumë të ndryshme të udhëheqjes amerikane. Shtetet e Bashkuara do të dëshmonin aftësinë e tyre për të udhëhequr përmes institucioneve globale dhe jo kundër tyre.
Ajo do të përqendrohej më shumë tek njerëzit sesa tek lojërat e pushtetit, dhe do të maste suksesin e vet më shumë me jetët e shpëtuara sesa me numrin e qeverive të rekrutuara në “anën tonë”. Mund ta quani këtë një strategji e të gjithëve për të gjithë.
Suksesi i një përpjekjeje të tillë, do t’i ofronte padyshim përparësi të madhe strategjike Shteteve të Bashkuara. Për shembull, PEPFAR, përmirësoi shumë perceptimin mbi Shtetet e Bashkuara në shumë vende afrikane dhe aziatike.
Por SHBA-ja do ta fitojë këtë avantazh duke respektuar angazhimet universale, bazuar në idealet e saj më të larta, duke qenë sipas vetë fjalëve që vetë Biden tha ditën e inaugurimit në detyrë “një partner i fortë dhe i besueshëm për paqe, përparim dhe siguri për të gjithë”. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
*Marrë me shkurtime

