Analisti Roland Bejko thotë se amerikanët, edhe pse janë tërhequr lidhur me politikën e jashtme, do të jenë të pranishëm në Ballkanin Perëndimor.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Bejko u shpreh se SHBA nuk e do rajonin në konflikt dhe do të jetë në rivalitet me Rusinë, Kinën, por edhe vetë BE.
Ndërsa analisti Skënder Minxhozi deklaroi se SHBA po vendos marrëdhënie selektive me shtetet në botë dhe se është përqëndruar te lufta tregtare.
Roland Bejko: Interesat amerikane cënohen nga krimi i organizuar, korrupsioni i lartë. Para disa ditësh, na erdhi njoftimi nga presidenca amerikane, që edhe presidenti amerikan, Donald Trump e përforcoi nenin, që do penalizohen politikanë të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Amerikanët janë këtu, do jenë këtu për rajonin, nuk e duan rajonin në konflikt. Ata do jenë këtu në rivalitete me Rusinë, Kinën, por edhe vetë BE. Ne nuk e dimë se si do të jenë marrëdhëniet e SHBA me BE. Ne i quanim, dikur ishin një, SHBA dhe BE. Ne nuk e dimë se si do ndryshojnë qasjet e fuqive europiane në raport me Shqipërinë dhe rajonin. Do ta shohim.
Skënder Minxhozi: Marrëdhëniet tona me SHBA, janë selektive. Është shkurtuar lista e atyre që Amerika cilësonte interesa të saj. Është përqëndruar te lufta tregtare, zona e influencës dhe pasuritë natyrore. Marrëdhëniet janë kthyer në materie, sa më konkrete të jetë e mundshme. Ka një paradoks. Ne duam të hyjmë në BE. Trump thotë, Europa e bashkuar është krijuar për t’i rënë në qafë Amerikës. Ai kërkon ta luftojë përmes tarifave. Trump ka shpallur një luftë, që nuk dihet se çfarë efekti ka. Ata nuk e shohin Shqipërinë si palë se po bën reformë në drejtësi, për adminisitratën Trump janë pallavra. Amerika është shumë konkrete në marrëdhënien e saj me botën. Është një marrëdhënie shumë komplekse që Amerika po vendos me botën./abcnews.al