Ish-deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi përmes një statusi në rrjetet sociale shkruan se Zgjedhjet Presidenciale në Amerikë po ndiqen me interes të veçantë edhe në Shqipëri, me besimin se e mira për vendin tonë vjen përtej oqeanit, duke qenë se kombi shqiptar është rreshtuar historikisht në krah të SHBA-së.
Mes të tjerash Çupi shkruan se çdo kandidat që do të fitonte zgjedhjet në SHBA, uron që të mbështes Shqipërinë, Kosovën dhe në tërësi kombin shqiptar.
Por ajo çfarë ka shkruar Çupi, duket se ka “ngacmuar”, ish-anëtarin e KQZ, Denar Biba, duke bërë që ky i fundit të “thotë diçka më shumë” rreth kësaj mbështetje që shqiptarët marrin nga amerikanët por edhe nga fakti që Çupi nuk ka dashur të shprehet se cili është i “preferuari i saj (Trump apo Biden)”.
Duke komentuar në postimin e Cupit, Biba shkruan se lidershipi amerikan i administratës Trump, në rastin e zgjedhjeve të 30 qershorit në Shqipëri, gati kërcënoi palën shqiptare, përmes të dërguarit të saj Matthew Palmer. Sipas Bibës ai kishte insistuar që ato të mbaheshin, edhe pse e djathta shqiptare kishte akuzuar disa ambasadorë që sipas tij kishin mbështetur qëndrimet e “soroistëve” në pushtet në Tiranë.
“Do te mjaftonte vetëm heshtja e administratës Trump që situata e para 30 qershorit te ishte ndryshe nga ajo qe dëshmuam”, shkruan Biba ndërsa duket se nuk ka qenë dakord me qëndrimin asnjanës të vetë Çupit, por edhe të të gjithë atyre që kanë të njëjtën ideologji politike.
“Për sa kohe qe faktet flasin ndryshe”, shkruan Biba- “atashimi me kandidatë të caktuar, me ndjesinë se kemi të njëjtën ideologji politike, nuk duhet të na verbojë”, shkruan ndër të tjera Biba.
n.d./abcnews.al