“Amerika e para” godet Kinën dhe Korenë e Jugut/Taksë për lavatriçet e panelet diellore

schedule09:53 - 23 Janar, 2018

schedule 09:53 - 23 Janar, 2018

Në sajë të politikave “Amerika e Para”, administrata Donald Trump ka vendosur taksa për lavatriçet dhe panelet diellore të importuara. Uashingtoni thotë se kjo lëvizje bëhet për të mbrojtur kompanitë amerikane. Ndërsa vendet më të goditura janë Kina dhe Koreja e Jugut.

SHBA ka aprovuar tarifa kontroverse për lavatriçet dhe panelet diellore të importuara. Kjo lëvizje është në një linjë me politikën tregtare të presidentit Donald Trump “Amerika e Para”, e cila ka për qëllim të mbrojë prodhuesit lokalë nga konkurrenca e jashtëme. Një zëdhënës tha se administrate “gjithmonë do të mbrojë punëtorët amerikanë, fermerët dhe biznesmenët”.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara paralajmëruan se veprime të kësaj natyre për tregtinë do të ketë përsëri në vijim. Vetë Trump ka përmendur këto aksione që prej marrjes së detyrës. Në fjalimin e inagurimit para një viti, ai premtoi të mbrojë kufinjtë amerikanë nga vende që prodhojnë produktet që konsumohen në SHBA dhe akuzoi disa shtete se kanë joshur kompanitë amerikane dhe kanë vjedhur vendet e punës.

Por Kina dhe Koreja e Jugut, prodhuesit e të cilëve do të preken më së shumti, kritikuan këtë vendim. Qeveria e Seulit do të dërgojë në Organizatën botërore të tregëtisë “ËTO” një peticion kundër taksave të vendosura nga SHBA. “Vendimi dukshëm shkel dispozitat e “WTO”, thotë ministri koreanojugor I tregtisë, Kim Hjun-çong. Notë proteste ka ardhur edhe nga Kina, që shpreh zhgënjim të fortë kundër vendimit të Trump. Një zyrtar I qeverisë së Pekinit e cilësoi këtë zhvillim si një abuzim.

Ndërkohë, gjigandët e teknologjisë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre. “Samsung” e cilëson vendimin e Trump një humbje të madhe për konsumatorët dhe punonjësit amerikan, duke rikujtuar se ka punësuar mbi 600 persona në impjantin e saj në Karolinën e Jugut. Kjo kompani thekson se taksa do të rrisë çmimin e lavatriçeve dhe për pasojë do rëndojë xhepin e qytetarëve. Gjithashtu në të njëjtën linjë është vendosur dhe “LG”. Kjo kompani po vendos në pikëpyetje ndërtimin e një impjanti për prodhimin e lavatriçeve në Tenesi./abcnews.al