Amendamentet e PD, Vangjeli: Kushtetuta e arnuar ndër vite, ligjet shkruhen për synime të caktuara

schedule13:45 - 19 Tetor, 2021

schedule 13:45 - 19 Tetor, 2021

Janë zbardhur ditën e sotme amendamentet e Partisë Demokratike për bërjen e ndryshimeve kushtetuese. PD propozon për bërjen e ndryshimeve kushtetuese që nga vettingu i politikanëve, Reforma Territoriale dhe ajo Zgjedhore.

Megjithatë, analisti Lorenc Vangjeli u shpreh në “Abc Live” se Kushtetuta tashmë ka më shumë ara seç ka material. Sipas tij, vendi ka një nevojë dëshpëruese për kryerjen e një reforme thelbësore kushtetuese dhe kjo sipas tij nuk duhet të jetë një iniciativë politike.

“Ligjet e bëra deri më tani janë shkruar duke pasur synim emra të caktuar, në momente të caktuara.”

Të njëjtin qëndrim mban edhe gazetari Mentor Kikia i cili u shpreh se interesat personale të partive apo individëve të caktuar kanë çuar në shndërrimin e Kushtetutës.

“Kushtetuta në vend të jetë ligji themeltar është bërë zgjidhja e halleve imediate. Ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen me shprehje dëshire, duhet të mblidhet ca njerëz që mund të jenë shumë më të ftohtë se krerët e partive politike.”

Ndërsa duke u ndalur tek vettingu i politikanëve, analisti Vangjeli vlerëson se propozimet e PD janë një duplikim i plotë i veprimtarisë së SPAK-ut.

“Kemi një propozim politik për të ngritur një institucion tjetër është qesharake. Është SPAK, t’i japë mbështetje me aq sa mundet, që të bëjë drejtësi edhe nëse përmbyset kjo bota jonë e gënjeshtërt.”

Kurse sa i përket ndryshimeve territoriale, për Vangjelin kthimi i komunave në terma të kompetencave do të ishte diçka kriminale.

“Problemi është të mos kthehemi pas. Tek rikthimi i komunave problemi është tek kompetencat. Në komunat e periferisë së Tiranës ka ndodhur një nga masakrat më të mëdha territoriale. Është bërë një deurbanizim që se kanë bërë as pushtuesit më të egër. Lagje të të tëra të mbjella me pallate. Nëse ka të njëjtën rikthim në kompetenca është kriminale.” s.b/abcnews.al/