Lazio po zhvillon një sezon madhështor dhe po rivalizon me Juventusin për titullin kampion në Serie A. Skuadra e Inzaghit numëron vetëm një pikë më pak se kryesuesit bardhezi dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Champions League.
Presidenti Lottito dhe Igli Tare kanë dy objektiva për merkaton e verës. Drejtori sportiv do të tentojë sërish të arrijë një akord me Oliver Giroud. Francezi i Chelsea del lojtar i lirë në fund të këtij sezoni dhe ardhja e tij do rrisë eksperiencën e Lazios.
Për sulmuesin interesohen edhe Interi e Lyon, por Tare beson se do arrijë marrëveshjen me Giroud. Emri tjetër është Jack Bonaventura. Milanisti shihet si alternativa perfekte e Luis Alberto. 30-vjeçari ndodhet në vitin e fundit të kontratës me kuqezinjtë dhe rinovim nuk do të ketë.
Hapi i radhës është rinovimi me disa prej lojtarëve, mes tyre edhe ai me Thomas Strakoshën. Portieri shqiptar, Radu dhe Lulic janë tre emrat e parë me të cilët do të nisin negociatat e rinovimit të kontratave. /abcnews.al