Në intervistën për Abc News, dhënë gazetarit Endri Xhafo, ambasadorja e Francës në Shqipëri Christina Vasak merr në mbrojtje kolegun e saj të OSBE-së Borchard, i shpallur “nona grata” nga Presidenti dhe komenton akuzat e kreut të shtetit për palaço, vagabond dhe grup i strukturuar diplomatik, si analogji me grup i strukturuar kriminal.
Ajo shprehet:
“Ka një ngarkesë kundër diplomatëve. Por diplomatët kanë një rol që nuk mund të neglizhohet. Nuk jam as unë as ndonjë tjetër që mund të thotë të kundërtën. Por ama ky rol as nuk duhet ekzagjeruar. Diplomatët nuk janë këtu për të zëvendësuar autoritetet kompetente. Unë mendoj që ka pasur një ngutje kur janë përdorur ato fjalë.
Nuk e dija kuptimin në shqip të fjalës vagabond, në kuptimin e gansterit, por unë nuk njoh personalisht në komunitetin diplomatik këtu në Tiranë asnjë grua apo burrë diplomat sadopak vagabond. Sinqerisht. Dhe nuk e them këtë për solidaritet, se ndoshta po e mendoni. Jo, nuk është një refleks solidariteti. Sa i takon krahasimit me banda apo grupe kriminale, çfarë është kjo? Të jemi seriozë!
Unë kam tendencë t’i marr gjërat më ironi ndonjerë, por këtu le të bëhemi seriozë! Po, diplomatët takohen. Po, diplomatët mblidhen rregullisht. Dhe grupi i parë, për ne francezët, si edhe për të tjerët, është ai i ambasadorëve të Bashkimit Europian”.
Zonja Vasak tregon se e njeh ambasadorin Bernd Borschardt që kur punonte në Gjermani duke theksuar se nuk është në interesin e askujt që t’i përvishet një diplomati.
“Njihemi që nga Gjermania, sepse kam punuar jo pak në Gjermani. Dhe mendoj se nuk është në interes të askujt që t’i përvishet një diplomati, cilido qoftë ai. Nuk është në interesin e askujt”, tregon ajo.
Duke iu referuar ambasadorit Borchardt, ambasadorja shprehet se çdokush mund të shkasë.
“Sigurisht, e di çfarë i qortojnë. Çdokush mund të shkasë. A kishte shkarje, këtë nuk më takon mua ta them. Por mendoj se askush nuk ka interes kundër Bernd Borschardt, sepse, të mos harrojmë, Shqipëria po bëhet gati të marrë presidencën e radhës të OSBE-së në 2020.
Askush nuk ka interes të tregojë me gisht përfaqësuesin e OSBE-së këtu. Askush! “, shprehet ajo.
Në lidhje me përmendjen e armëve nga Presidenti Meta, si mundësi për të mbrojtur Kushtetutën, Ambasadorja Vasak thotë se është e trishtuar që krejt papritur del ky argument i armëve, ndërkohë që ka një nismë franko-gjermane në kuadër të procesit të Berlinit, që synon eliminimin në të gjitha vendet e rajonit të armëve të lehta dhe të kalibrit të vogël dhe municioneve të tyre.
Ambasadorja e Francës në Shqipëri nuk thotë nëse kjo krizë politike në Shqipëri ndikoi ose jo në vendimin e Francës për të mosçelur negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin europian, por pranon se për momentin Franca dhe Gjermania janë duke negociuar në të gjitha nivelet për rrugën që duhet ndjekur. /abcnews.al