Ambasadorja amerikane në OKB: Kosova dhe Serbia urgjentisht ta zbatojnë marrëveshjen

schedule13:55 - 27 Prill, 2023

schedule 13:55 - 27 Prill, 2023

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Linda Thomas Greenfield, në takime të ndara me krerët e diplomacisë së Kosovës dhe Serbisë, u ka bërë thirrje të dyja vendeve që ta zbatojnë menjëherë marrëveshjen e arritur për normalizim të raporteve.

Në Nju Jork, më 26 prill, një ditë para seancës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën, Greenfield ka biseduar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç.

Paraprakisht, më 25 prill, ajo ishte takuar me zëvendëskryeministren e Kosovës dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, shkruan REL.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë aktive për mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë në përmbushjen e obligimeve të tyre në arritjen e marrëdhënieve të parashikueshme dhe paqësore, i tha Thomas-Greenfield ministrit serb.

Ajo theksoi “sa e rëndësishme është që të dyja palët të zbatojnë urgjentisht angazhimet e dala nga marrëveshja historike, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin” që arritën, sipas deklaratës nga zëdhënësi i misionit amerikan në OKB, Nate Evans.

Gjithashtu shtohet se ambasadori amerikan dhe shefi i diplomacisë serbe kanë biseduar edhe për rëndësinë e partneritetit afatgjatë mes SHBA-së dhe Serbisë.