Rusia është e hapur për negociata për përfundimin e luftës në Ukrainë, nëse presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, fillon negociatat bazuar në “realitetin e progresit rus”, tha Gennady Gatilov, përfaqësuesi i Rusisë në zyrën evropiane të OKB-së në Gjenevë.
“Trump premtoi t’i japë fund krizës në Ukrainë brenda natës. Mirë, le të jemi të vërtetë, ne e dimë se kjo nuk do të ndodhë kurrë. Por nëse ai fillon ose propozon diçka për të filluar procesin politik, do të jetë e mirëseardhur”, u shpreh ai, shkruan Reuters.
Gatilov shtoi se në atë rast duhet të merret parasysh “realiteti në terren”, pra, siç tha ai, se Ukraina është në mbrojtje gjatë gjithë kohëzgjatjes së konfliktit.
Duke folur për mundësinë e një dialogu të ri mes Moskës dhe Uashingtonit, përfaqësuesi rus tha se zgjedhja e Trump tregon se mund të ndodhë, por se nuk ka gjasa që të ketë një rivendosje më të gjerë të marrëdhënieve.
“Pavarësisht nga ndryshimet e brendshme politike në SHBA, Uashingtoni ka krijuar vazhdimisht një ndjenjë frenimi në Moskë dhe administrata e re po bën pak për ta ndryshuar këtë.E vetmja gjë që mund të ndryshojë është dialogu mes dy vendeve tona, diçka që nuk ka ndodhur në vitet e fundit”, tha Gatilov.
Më parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyi ka deklaruar vazhdimisht se paqja midis Rusisë dhe Ukrainës nuk mund të arrihet nëse forcat ruse nuk tërhiqen nga të gjitha territoret ukrainase, përfshirë Krimenë./abcnews.al