Ambasadori italian në Prishtinë, Antonello de Riu, thotë për KosovaPress se plani i Bashkimit Evropian për dialogun është një hap i rëndësishëm drejt njohjes de-jure të Kosovës nga Serbia.
Ai kërkon nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, që në takimin e sotëm në Ohër të shfrytëzojnë momentumin e krijuar dhe të arrijnë një marrëveshjen bashkë me aneksin për zbatimin e tij. Sipas tij përfitimet nga kjo marrëveshje janë të mëdha, veçmas në aspektin ekonomik.
Ai tha për KosovaPress se plani i BE-së për dialogun është marrëveshja më e mirë që mund të kishte në këtë fazë mes Kosovës dhe Serbisë.
Përmes saj, sipas tij, ndodh edhe njohja de-facto e Kosovës, mirëpo thotë se Kosova sapo të mund të aplikojë për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare, sovraniteti i vendit do të njihet globalisht dhe njohja de-jure do të mbet vetëm hap formal.
“Kjo është marrëveshja më e mirë që mund të kishim në këtë fazë. Megjithatë tashmë është një njohje de-facto e sovranitetit ndërkombëtar të këtij vendi tashmë globalisht, e jo vetëm nga miqtë… Është vetëm një hap i parë shumë i rëndësishëm drejt njohjes de-jure, që do të ndodhë në një moment të ardhshëm”, thotë ai.
Megjithatë, ai thekson se institucionet në Kosovë duhet të kenë angazhim politik për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të diskutojnë për planin e Bashkimit Evropian për dialogun dhe zbatimin e tij.
/kosovapress