Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë përparim dhe të shmanget çdo tension. Derisa është pyetur në lidhje me deklarimet e liderëve të Serbisë, ai tha se presin zbatim të plotë të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe aneksit të dakorduar në Ohër.
Lidhur me zgjedhjet që do të mbahen të dielën në veri të vendit, diplomati gjerman deklaroi se të dy palët duhet të arrijnë përparim për qytetarët e të dy vendeve.
“Ne kemi bërë një deklaratë për këtë dhe nevoja e kohës përveç zbatimit është edhe shmangia e çdo tensioni për ndonjë temë tjetër. Ajo që na nevojitet është që të dy palët tani duhet së bashku në mënyrë konstruktive të arrijnë përparim që është i rëndësishëm për qytetarët e të dy vendeve”, ka deklaruar ai.
Ai nuk ka dashur të komentojë deklarimet e liderëve në Beograd, veçse tha se presin zbatim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.
Më tej, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë u shpreh se pret së shpejti takim mes palëve në Bruksel.
Kosova dhe Serbia u pajtuan me 18 mars në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes që u arrit në Bruksel, ani pse nuk pati nënshkrim të saj.
/KosovaPress/