Ambasadori amerikan në Kosovë, Kosnett: Institucionet e reja të krijohen sa më shpejt

schedule21:31 - 28 Tetor, 2019

schedule 21:31 - 28 Tetor, 2019

Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett u takua të hënën me udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, me të cilët bisedoi lidhur me ecurinë e bisedimeve për formimin e qeverisë së re. Ambasadori u takua me kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe zyrtarët e LDK-së,  nënkryetarët Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri.

Vetëvendosje tha se zoti Kosnett uroi që institucionet e Republikës së Kosovës të themelohen sa më parë, në mënyrë që edhe puna për një shtet të së drejtës që lufton korrupsionin dhe zhvillon ekonominë të sjellë rezultatet e para.

Zoti Kurti shprehu bindjen se qeveria e re do të formohet shumë shpejt dhe përparësi do të ketë sundimi i ligjit dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional.

Ndërsa zonja Osmani ka diskutuar në takimin me ambasadorin amerikan prioritetet e LDK-së në institucionet e ardhshme, në veçanti për zhvillimin ekonomik, procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe sundimin e ligjit dhe ka vënë në dukje rëndësinë e bashkërendimit të qëndrimeve me partnerët e Kosovës, SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.

Ambasadori amerikan ka inkurajuar LDK-në që të vazhdojë qasjen konstruktive në proceset e Kosovës./abcnew.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!