Ambasadori amerikan në Beograd: Të rinisë dialogu

schedule14:24 - 8 Qershor, 2019

schedule 14:24 - 8 Qershor, 2019

Në një intervistë për mediat serbe, ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott u shpreh se Kosova dhe Serbia duhet t’i japin fund konfliktit të ngrirë dhe të riulen në tryezën e dialogut. Scott theksoi se ky është qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott deklaroi se konflikti i ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është një opsion që sjell stabilitet. Në një intervistë për të përditshmen serbe ‘Danas’, Scott u shpreh se sipas tij Serbia është përqendruar në marrëveshjen e Brukselit, në përpjekje për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim, ashtu si dhe Kosova. Ai theksoi se ky duhet të jetë synimi i dy palëve, dhe sigurisht është edhe qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Scott shtoi se vendi i tij mbështet bisedimet e drejtuara nga Bashkimi Evropian dhe dëshiron që të gjejë një mënyrë për të kthyer të gjitha palët në tryezën e bisedimeve. Ai përsëriti se SHBA-ja ka qenë e qartë që në fillim, se vendimet të cilat nuk ishin të dobishme dhe që pengonin dialogun, duhet të hiqen. Duke iu referuar taksës së vendosur nga Prishtina ambasadori amerikan në Beograd u shpreh se ajo nuk është e dobishme dhe është një pengesë që duhet hiqet, pasi pengon kthimin në negociata.

Megjithatë Scott thotë se Kosova është një shtet i pavarur dhe merr vendime të cilat konsideron se janë në interesin e saj.

“Ne do të vazhdojmë me hapa për të nxitur Kosovën për të hequr taksën. Por mendoj se Serbia e ka të vështirë të pranojë se Kosova është një shtet i pavarur dhe se qeveria merr vendime për të cilat konsideron se janë në interes të vendit.  Edhe pse Kosova ka raporte tepër të ngushta me SHBA-në, ne nuk mund të kontrollojmë se çfarë bën Kosova, sepse ka një lidership që është zgjedhur në mënyrë demokratike”, përfundoi ai./ABC News Albania 24/7