Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, është takuar sot me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Siç thotë zyra e këtij të fundit, të dy folën për bashkëpunimin mes Amerikës dhe Serbisë, çështjet globale dhe situatën në rajon. Aty thuhet se Hill ka folur edhe për “Ballkanin e Hapur”.
Hill sot ka qenë në zyrën e Vuçiçit dhe sipas asaj që thotë Zyra e Presidentit serb, ata janë pajtuar se “kushti për progres të Serbisë dhe gjithë rajonit është ruajtja e paqes dhe stabilitet”, transmeton Gazeta Express.
Për t’u arritur ky progres, përkrahja e Shteteve të Bashkuara është shumë e rëndësishme, thuhet tutje në njoftim.
“Presidenti Vuçiç ka shpresë se gjatë mandatit të ambasadorit Hill, raportet tashmë të mira mes Serbisë dhe SHBA-së, do të përmirësohen edhe më shumë”, thotë Presidenca serbe.
Komunikata e zyrës së Vuçiçit citon ambasadorin Hill të ketë thënë se ai e njeh Ballkanin Perëndimor dhe se mendon se ka potencial të madh për zhvillim ekonomik. Sipas Presidencës serbe, Hill këtu theksoi se ka nevojë për t’u punuar për promovimin më të mirë dhe për të tërhequr investitorët amerikanë, duke përfshirë edhe iniciativën për Ballkanin e Hapur. /Express