Kajl Skot, ambasadori amerikan në Beograd ka komentuar operacionin e policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, duke thënë se operacione të tilla policore anti korrupsion kryhen edhe në Serbi.
Objektiv i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet arritja e një marrëveshje të hollësishme për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, pavarësisht dialogut të ndërprerë dhe mosbesimit të ndërsjellë. Kështu ka deklaruar ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, duke bërë thirrje që Beogradi e Prishtina të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe që të evitojnë barrierat e tarifat të cilat pengojnë vazhdimin e negociatave. Diplomati amerikan me këtë rast ka komentuar edhe zhvillimet e së martës në veri të Kosovës.
I pyetur nga televizioni N1 nëse bisedimet Beograd-Prishtinë kanë hyrë në rrugë pa krye, ambasadori amerikan, Kyle Scott, tha se mbetet optimist, pavarësisht zhvillimeve të fundit të disfavorshme.
Kajl Skot, Ambasadori Amerikan në Beograd: “Qëndrimi ynë është se qëllimi mbetet i njëjtë: një marrëveshje e hollësishme për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Që të arrihet kjo, ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por duhet që të kemi dialog. Qëllimi duhet të jetë që palët të kthehen në tavolinë dhe të vazhdojnë bisedimet. Për shkak se edhe presidenti Vuçiq e tha se pa bisedime – nuk mund të arrihet marrëveshja,’- deklaroi diplomati amerikan duke vlerësuar debatin në parlamentin serb, lidhur me Kosovën, përkundër mungesës së hollësive, por edhe mungesën e opozitës serbe në të”.
Duke komentuar samitin e paradokohshëm të Berlinit dhe vazhdimin e tij në Paris, në fillim të korrikut, ambasadori Kyle Scott tha se administrata amerikane do të vazhdojë mbështetjen për një marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.
Ambasadori amerikan në Beograd, ka komentuar edhe zhvillimet e së martës në veri të Kosovës. Sipas tij aksioni i policisë kosovare, me urdhërarrest të lëshuar nga gjykatësi, kishte për qëllim ndalimin e personave të dyshuar për korrupsion e shpërdorime të ndryshme, një veprim ky i njëjtë si dhe aksione të ngjashme të ndërmarra në Serbi, dëshmitar i të cilave tha se ka qenë edhe vet. Dallimi më i madh ishte se të martën, vlerësoi ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, qeveria serbe vendosi ushtrinë në gatishmëri kurse popullata e Kosovës Veriore tentoi të përzihet në operacionin policor duke ngritur barrikada në rrugë:
“Ne besojmë në sundimin e së drejtës dhe të gjitha vendet e këtij rajoni duhet të ndërmarrin masa kundër veprimeve ilegale”– nënvizoi ambasadori amerikan duke rikujtuar se policia kosovare të martën nuk veproi vetëm në veri, por edhe në pjesën jugore të vendit, veprimi ishte pjesë e një aksioni më të gjerë që prej kohësh po ndërmerret në Kosovë dhe shpresojmë se, përfundoi ai, ka për të vazhduar. /ABC News Albania 24/7