Për tensionimin e situatës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe aktet e dhunës në drejtim të godinës së kryeministrisë reaguan dhe ambasada e Shteteve te Bashkuara të Amerikës dhe delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë dhe OSBE. Ata dënuan dhunën gjatë protestës së opozitës, ndërsa i bënë thirrje forcave politike për vetëpërmbajtje.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian mbështetën të drejtën e qyetarëve për të protestuar ndërkohë që dënuan aktet e dhunës gjatë protestës së opozitës para kryeministrisë.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën dhe shkatërrimin që ndodhën gjatë protestave të sotme në Tiranë. Mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme.”
Ambasada Amerikane reagoi ne Twitter gati dy orë pas tensionimit të situatës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Shtetet e Bashkuara nxisin palët të tregojnë vetëpërmbajte dhe të rivendosin qetësinë.
“Iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte e të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive.”
Në të njëjtën linjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është edhe Bashkimi Evropian. Apeli vjen po nga Twitteri;
“Ambasadat e Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve Anëtare në Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje të menjëhershme. E drejta e qytetarëve për të shprehur veten përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane.”
Dëmtimi i pronës publike dhe përdorimi i dhunës nuk janë të pranueshme thotë delegacioni i Bashkimit Europian i cili i drejtohet të gjitha palëve “të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe përçarje të mëtejshme”.
Ndërsa prezenca e OSBE-së bashkë me dënimin e aktve të dhunës apelon që nxitësit dhe autorët e saj duhet të mbajnë përgjegjësi për incidentet.
“Përshkallëzimi i dhunës së rrugës sot përbën një shkelje të parimeve të protestës demokratike paqësore. Nxitësit dhe autorët e dhunës mbajnë përgjegjësi për incidentet e sotme”.
Ndërkohë OSBE thotë se do të vijojë të mbështesë protestat paqësore si pjesë e përkrahjes së saj të palëkundur për demokracinë në Shqipëri./abcnews.al