Të hënën e 14 Majit, ambasada amerikane në Izrael u transferua zyrtarisht nga Tel Aviv në Jeruzalem, duke shkaktuar protesta të mëdha të palestinezëve në Rripin e Gazës dhe Cisjordani. Ngjarja, me një domethënie shumë të madhe politike dhe simbolike, u shoqërua me një ceremoni në ndërtesën e re të ambasadës, në zonën e Arnonës, ndërsa në kufi mes Rripit të Gazës dhe Izraelit 63 palestinezë u vranë dhe 2400 të tjerë u plagosën nga ushtarët izraelitë. Vendimi kontrovers i Donald Trump për të transferuar ambasadën në Jeruzalem, pra në qytetin që më shumë pretendohet nga dy palë në histori, po jep një impakt të madh në Izrael.
Por kjo nuk është hera e parë që një vend i huaj vendos të hapë një ambasadë në Jeruzalem. Kishte ndodhur më parë në fillim të viteve ’50 me ambasadat e 16 shteteve ndër të cilët një europian. Hapjet e ambasadave të para në Jeruzalem datojnë në vitet pas luftës së parë arabo – izraelite, që u zhvillua pas lindjes së shtetit të Izraelit në 1948-ën. Izraelit iu deklarua luftë nga disa vende të ndryshme arabe, por u fitua nga Irzaeli. Si pasojë me qindra mijëra palestinezë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre në atë që u konsiderua si eksodi i madh i 1948-s, dhe që në botën arabe njihet si nakba – katastrofa. Që atëherë statusi i Jeruzalemit mbeti pezull.
Në vitin 1947, OKB-ja kishte propozuar që jeruzalemi, si qytet i shenjtë për tre fe kryesore si krishtërimi, hebraizmi dhe islami, të ishte ndërkombëtar dhe i prekshëm për të gjithë qytetarët e botës. Negociatorët izraelitë e pranuan planin, ndërsa palestinezët jo. Me armëpushimin që i dha fund luftës në vitin 1948, Jeruzalemi u nda në dy pjesë; territoret në lindje iu dhanë Jordanisë, dhe ato në perëndim Izraelit. Në vitin 1950 qeveria izraelite e shpalli Jeruzalemin si kryeqytetin e përjetshëm dhe pjesë të pandashme të shtetit të Izraelit. Vitet që pasuan 16 shtete hapën ambasadat e tyre atje, dhe pse statusi i qytetit ishte ende i paqartë: tre vende afrikane; Bregu i Fildishtë, Zaire – aktualisht Republika Demokratike e Kongos dhe Kenia; 12 vende latine amerikane: Bolivia, Kili Kolumbia, Kosta Rika, Republika Domenikane, Ekuadori, El Salvadori, Panamaja, Uruguai, Venezuela, Guatemala dhe Haiti; si dhe një europian, Vendet e Ulëta.
Në atë kohë sipas mediave izraelite, hapja e një ambasade në Jeruzalem nuk nënkuptonte domosdoshmërisht një njohje të qytetit si kryeqytet të Izraelit. Ideja që mbizotëronte ishte se statusi i Jeruzalemit ishte ende pezull dhe do të vendosej nëpërmjet negociatave mes izraelitëve dhe palestinezëve. Ishte dhe idea që një shtet palestinez do të lindte herët a vonë dhe që Jeruzalemi do të ishte një kryeqytet i ndarë në dy pjesë. Pjesa lindore do të ishte kryeqytet palestinez dhe ajo perëndimore izraelit. Mes viteve ’70 – ’80 të gjithë këto vende mbyllën ambasadat e tyre në Jeruzalem. Po në këtë periudhë ndodhën dy gjëra të rëndësishme lufta e Jom Kipur në 1973-shin dhe miratimi i ligjit thelbësor nga ana e parlamentit izraelit në vitin 1980.
Lufta e Jom Kipur nisi në 6 Tetor, ditën e festës më solemne në kalendarin hebre, që njihet pikërisht me këtë emër. Izraeli u sulmua një kohësisht nga Egjipti i Anuar Sadat dhe nga Siria e Hafez al Assad të dy përfaqësues të lëvizjes nacionaliste panarabe dhe të vendosur për të rimarrë territoret e vendosura nën kontrollin e Izraelit me luftën e gjashtë ditëve në 1967-n. Pas ditëve të tëra me humbje të mëdha në jetët e njerëzve, ushtria izraelite reagoi dhe shtypi sulmet.
Pavarësisht paralajmërimeve të Këshillit të Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në vitet në vijim, Izraeli vazhdoi të përforconte kontrollin e tij në Jeruzalem,duke miratuar amendamente të ligjit thelbësor. Edhe sot e kësaj dite, Izraeli konsideron Jeruzalemin si kryeqytetin e tij, dhe në Jeruzalem ndodhen ndërtesat e qeverisë dhe parlamentit izraelit. Për këtë arsye ngjarjet e ditëve të fundit kanë një rëndësi të madhe pasi nuk bëhet fjalë vetëm për një seli diplomatike, por për shumë më tepër.
“Çfarë dite e lavdishme! Mbajeni mend këtë moment. Kjo është historia”.
Kështu u shpreh kryeministri Beniamin Netanyau në tribunën e ambasadës së re amerikane në Jeruzalem.
Ndërsa nga ana tjetër për palestinezët është një ditë masakre e tmerrshme, e cila numëron 63 viktima, mes të cilëve dhe minorenë dhe më shumë se 2 mijë të plagosur mes Rripit të Gazës dhe Izraelit. Numra që nëse i shtohen 49 viktimave dhe më shumë se 700 të plagosurve në marshimin për të drejtën e rikthimit, të datës 30 Mars, bëjnë një shifër prej më shumë se 100 të vdekur dhe qindra të plagosur.
Kanë qenë të menjëhershme reagimet e liderëve botërorë për zhvendosjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem, në një situatë të rrethuar nga një klimë tensionesh të forta. Gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurisë, i dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme, Nikolai Mladenov, pohoi se nuk ka asnjë justifikim për tragjedinë e ndodhur në Rripin e Gazës duke iu drejtuar Izraelit dhe Hamasit.
Turqia nga ana e saj dëboi nga vendi ambasadorin izraelit në vend, Eitan Naeh, pasi i komunikoi vendimin në Ministrinë e Jashtme turke. Në të njëjtën kohë, Turqia i kërkoi ambasadorit të saj në Izrael që të rikthehet sa më shpejt. Kryeministri turk, Binali Yildirim, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bashkëpërgjegjës në krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.
Nga ana e tij, presidenti turk ErdoGan e cilësoi transferimin e ambasadës si një shpërblim për qeverinë izraelite dhe një ndëshkim për palestinezët. Ndërkohë Liga Arabe i kërkoi prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare që të hapë hetimet për krimet e pushtimit izraelit të kryera kundër palestinezëve në 14 Maj 2018.
Ministri i Jashtëm belg gjithashtu thërriti në një takim urgjent ambasadorin izraelit në Belgjikë për të diskutuar rreth ngjarjeve të ditëve të fundit. Edhe Belgjika ka kërkuar hapjen e hetimeve ndërkombëtare. Kryeministrja britanike, Theresa May u shpreh e shqetësuar për dhunën dhe viktimat në Rripin e Gazës duke bërë apel për qetësi dhe shmangie të veprimeve shkatërruese ndaj përpjekjeve për paqe në rajon.
Londra zyrtare theksoi dhe njëherë më shumë se nuk është dakord me vendimin e marrë nga Presidenti amerikan, Donald Trump, për të transferuar ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Tel Aviv në Jeruzalem. Në deklaratën për shtyp të Dawning Street theksohej se Mbretëria e Bashkuar mbetet e vendosur për gjetjen e një zgjidhjeje për dy shtete me Jeruzalemin si kryeqytet të përbashkët.
Por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ka rezistuar dot në heshtje ndaj këtyre akuzave duke u shprehur me anë të një statusi në profilin e tij në Twitter se çdo vend ka për detyrë të mbrojë territorin e tij. Sipas Netanyahu organizata terroriste Hamass do të shkatërrojë Izraelin. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbajtur të njëjtin qëndrim me Izraelin me Shtëpinë e Bardhë që akuzoi Hamasin për dhunën përgjatë kufirit mes Rripit të Gazës dhe Izraelit duke thënë se ky i fundit ka të drejtë të mbrohet.
Presidenti i autoritetit kombëtar palestinez Abu Mazen e cilësoi masakër vrasjen e më shumë se 60 palestinezëve dhe plagosjen e mbi 2 mijë të tjerëve. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të kenë më rolin e ndërmjetësuesit në konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u shpreh i shqetësuar për numrin e viktimave duke thënë se nuk ka asnjë plan B ndaj zgjidhjes së dy shteteve që do u lejonin dhe izraelitëve dhe palestinezëve që të jetojnë në paqe.
OKB kishte kërkuar hapjen e një hetimi të pavarur për atë që ndodhi në Rripin e Gazës, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bllokuan këtë iniciativë. Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për çështjet e jashtme i kërkoi Izraelit që të respektonte kufijtë e përdorimit të forcës, si dhe të drejtën e palestinezëve për të protestuar. Mogherini i bëri apel dhe Hamasit, që manifestimet të jenë paqësore dhe të mos shfrytëzohen për qëllime të tjera.
Ministri i Jashtëm iranian Zarif e cilësoi hapjen e ambasadës amerikane në Izrael si ditën e turpit të madh, në një kohë që palestinezët numërojnë viktimat në Rripin e Gazës, Trump feston transferimin e paligjshëm të ambasadës amerikane. Kryetari i parlamentit iranian, Ali Larijani, premtoi se tërheqja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja për programin bërthamor dhe hapja e ambasadës amerikane në Jeruzalem nuk do qëndrojë pa u ndëshkuar.
Irani kërkoi që Izraeli të gjykohet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte pas masakrës brutale ndaj manifestuesve palestinezë. Liga Arabe, e përbërë nga 22 shtete i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të kundërshtojë vendimin e padrejtë të pushtimit izraelit të Jeruzalemit. Dhe Egjipti dënoi situatën duke vendosur në dispozicion disa spitale për mjekimin e të plagosurve. Ambasadori i Afirkës së Jugut në Izrael është thërritur në atdhe në shenjë proteste kundër veprimit të fundit të agresionit të dhunshëm të Izraelit në Rripin e Gazës.
Ekzistojnë disa pika kritike për të cilat nuk është gjetur asnjëherë zgjidhja, tre sidomos: kufijtë; palestinezët kërkojnë rivendosjen e kufijve sipas linjës së gjelbër para luftës së 1967-s, e drejta kontroverse e rikthimit në tokën e tyre të refugjatëve palestinezë (numërohen tashmë miliona refugjatë të shpërndarë në kampe refugjatësh në vendet mike si Jordani, Liban dhe Siri, ndërsa pika e tretë mbetet Jeruzalemi. Sot në fakt, pjesa më e madhe e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe shumë organizata ndërkombëtare nuk ia pranojnë Izraelit aneksimin e Jeruzalemit lindor, dhe as e njohin Jeruzalemin si kryeqytet izraelit.
Vendimi i Trump largon gjithnjë e më shumë perspektivën palestineze për të parë Jeruzalemin lindor si kryeqytet i një shteti të ardhshëm e të pavarur palestinez dhe jashtë çdo kontrolli të jashtëm. Përkundrazi për izraelitët, Trump dhe vendimi i tij janë kthesa e një zhvillimi epokal që do i japë atyre më shumë forcë për të vazhduar rrugën e ndërmarrë dhe që mund të nënkuptojë dhe njohjen e pranimin e ndërtimeve të paligjshme në territorin palestinez.
Për këtë arsye kreu i Shtëpisë së Bardhë është tashmë dhe një skuadër futbolli në Izraeli, ku Beitar Jeruzalem është gati të ndryshojë emër. Nuk është një lojë ironike fjalësh dhe asnjë epitet moment. Beitar Trump Jeruzalem është emërtimi i ri i një prej skuadrave më me shumë fitore në Jeruzalem. Lajmi u konfirmua nga vetë drejtuesit e skuadrës në formë homazhi për Presidentin amerikan për vendimin e tij në rishkrimin e historisë. Por ky vendim ka ngjallur shumë polemika për vetë faktin se skuadra, drejtuesit, por dhe tifozët e saj njihen për prirjet ksenofobe dhe ekstremiste. E themeluar në vitin 1936, skuadra lindi si një degë sportive e partisë revizioniste Zioniste, duke ndarë të njëjtat ideologji nacionaliste dhe duke rënë në sy për grupin e saj të ultrasve, të njohur për manifestimet e dhunshme raciste.
Në vitin 2013, skuadra në fjalë zuri një hapësirë shumë të madhe në kronikat ndërkombëtare pas protestave të dhunshme dhe kërcënimeve me armë kundër vendimit të drejtuesve të saj për të blerë dy futbollistë ruso – çeçenë, pra myslimanë. Pas gjashtë kampionatesh, shtatë kupash të Izraelit, dhe gjoba të panumërta për kore raciste dhe sjellje të dhunshme, skuadrën e pengojnë vetëm dy gjëra për të shtuar emrin e Trump në emërtimin e saj. Klubi i futbollit duhet në fakt të vendosë propozimin në tryezën e federatës izraelite të futbollit, si dhe fakti që emri Donald Trump në Izrael është një markë e regjistruar që nga 2008. Tashmë çdo gjë është në duart e burokracisë./abcnews.al