AMA: Rishikimin i Kodit të Transmetimit si nevojë e zhvillimit të tregut audioviziv

schedule18:21 - 21 Prill, 2022

schedule 18:21 - 21 Prill, 2022

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka nisur sot procesin e rishikimit të Kodit të Transmetimit në një konferencë në Tiranë, kishin prezent përfaqësues të autoriteteve homologe, ekspertë të botës akademike dhe medias, përfaqësues të grupeve të interesit, nga ojf-të etj.

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive znj. Krasniqi duke uruar mirëseardhjen, përmendi rëndësinë e Kodit të Transmetimit dhe nevojën për të rishikuar këtë dokument, i cili është miratuar që në vitin 2017, por që kërkon rishikimin pothuajse në të gjithë gamën dhe shumëllojshmërinë e veprimit të këtij akti nënligjor.

Ndërsa bëri me dije se AMA ka nisur përpjekjet për impelementimin e Direktivës Evropiane për Shërbimet Audiovizuale të miratuar në vitin 2018 nga Parlamenti Evropian, akt që do të kërkojë ndryshim të ligjit organik të AMA-s, znj. Kransniqi shtoi se “Në Shqipëri përpjekja jonë për të ecur paralelisht për një rregullim kuptimplotë, gjithëpërfshirës dhe në gjendje për të parashikuar avancimet e mëtejshme në këtë fushë, quhet Kodi i ri i Transmetimit”.

Sipas saj, synohet që në Kodin e ri të përfshihen edhe më tej përparësitë kryesore të platformës europiane të autoriteteve rregullatore.

Sipas Krasniqit ekzistojnë të gjitha mundësitë për të perfeksionuar sistemin “raporto, verifiko dhe përditëso”, apo elimino një informacion i cili cënon në mënyrë flagrante një prej të drejtave dhe lirove themelore.

“AMA është një prej autoriteteve që ka mbështetur me shumë bindje dy nga vendimet e ERGA-s për parandalimin e përhapjes së propagandës pro-ruse dhe vendimin për të kontribuar në rritjen e efikasitetin e sanksioneve të vendosura ndaj Moskës zyrtare. Ndonëse pati pretendime ss ky qëndrim bie ndesh me pkuralizmin e mendimeve dhe qëndrimeve mediatike, në gjykimin tonë ky është një moment historik pasi vendos se dinjiteti njerzor dhe e drejta për mirëinformim prevalon mbi çdo të drejtë apo parim tjetër në fushën mediatike”, nënvizoi Krasniqi.

Folësi kryesor i këtij takimi ishte Dr. Volfgang Kreisigj, Kryetari i Drejtorëve të Autoriteteve të Mediave Audiovizive të Landeve gjermane dhe i komisionit të Licencimit dhe Mbikëqyrjes. Ai prezantoi eksperiencën gjermane në menaxhimin e medias dhe aktet ligjore të cilat aplikohen në këtë shtet. Sipas tij, disa nga sfidat me të cilat përballen edhe rregullatorët gjermane kanë të bëjnë me harmonizimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së, kuadri ligjor për të mbuluar të gjithë aspektet e medias parë në dritën e zhvillimeve të vrullshme teknologjike, përfshirë mjedisin online dhe ruajtja e standardeve më të larta në mediat audiovizive.

Francesco Sciacchitano, konsulent për cështjet ligjore në autoritetin rregullator Italian, AGCOM dhe drejtues i grupeve të punës për platformat ndërkombëtare të rregullatorëve, solli modelin vendit të tij në kë fushë dhe sfidat që hasen. Sciachitano cilësoi si problemet më aktuale në Europë fenomenimin e dezinformimit dhe probleme që lidhen me të drejtën e autorit. Sipas tij, sfida më e madhe është gjetja e mekanizmit të duhur që Kodi i Transmetimit të trajtojë njësoj median tradicionale dhe atë online.

Zëvëndëskryetari i EPRA-s, njëherësh konsulent ligjor për cështjet europiane pranë Konferencës së Drejtorëve të Autoriteteve të Mediave Audiovizive të Landeve gjermane, Peter Metzneller, u ndal tek përpjekjet që po bëjnë organizmat ndërkombëtarë në fushën e rregullatorëve të medias për të zgjidhur këto sfida të ngjashme në të gjitha vendet. Ai mbështeti idenë se është e domosdoshme që mes institucioneve rregullatore por dhe medias të ketë shkëmbim informacioni dhe krijim sinergjish për të zgjidhur probleme të këtij lloji.

Mezneller bëri me dije dhe se Gjermania ka krijuar programe specifike për të gjetur shkeljet në rrjetet online që kanë të bëjnë kryesisht me gjuhën e urrejtjes, dhunën dhe gjuhën e papërshtatshme.

Ramadan Cipuri, pedagog dhe ekspert komunikimi, drejtues i Qendrës Shqiptare për Komunikimin Publik, sugjeroi që Kodi i ri të ketë parasysh tre momente të rëndësishme. Së pari, kujdesin në lidhje me moscënimin e lirisë së medias, së dyti, të bëjë një rregullim të pjesshëm të mediave digjitale dhe së treti, rregullimin e komunikimeve me natyrë tregtare veçanërisht atyre të fshehura.

Përfaqësuesit e medias publike dhe private kombëtare e vendosën theksin tek nevoja për rishikimin e këtij Kodi për t’a bërë sa më aktual e të zbatueshëm.

Kryeredaktori i Radio Televizionit Publik Shqiptar Gert Selenica diskutoi mbi momentet më të rëndësishme që hasen në punën e përditshme në lidhje me zbatimin e parimeve dhe rregullave etik që parashikon Kodi i Transmetimit, por mbi të gjitha për ato situata të parregulluara, siç së fundmi ishte rasti i luftës në Ukrainë dhe pamjeve që vijnë prej andej.

Drejtori i Programacionit në Televizionin Klan Armand Shkullaku foli për disa aspekte të Kodit Aktual të Transmetimit, duke vlerësuar se gjatë këtyre viteve është bërë përmirësim i dukshëm në procesin e raportimit nga media. Ai sugjeroi përfshirjen në të edhe të rregullave lidhur me kasetat e gatshme që kryesisht vinë nga partitë politike.

Kryeradaktori i lajmeve në Televizioni Top Channel Altin Kreka u ndal tek një fenomen gjerësisht i diskutuar në lidhje me mënyrën sesi shihet ruajtja dhe interesi publik sidomos nga operatorët privatë.

Për Kryeredaktorin e lajmeve në Vizion Plus Roland Zili, dokumenti i rishikuar nuk duhet të ketë natyrë shtrënguese. Sipas tij, gazetarëve profesionistë u rri ngushtë Kodi i Transmetimit, pasi ata shërbejnë edhe si eduktues, edhe si rregullatorë por edhe si modele në shoqëri.

Drejtoresha Ekzekutive e Komitetit Shqiptar i Helsinkit, një prej organizatave më aktive në fushën e të drejtave të njeriut, Erida Skëndaj u ndal tek gjuha e papërshtatshme që përdorët gjerësisht sot, sidomos në parlament, dhe qasjen që duhet të mbajnë operatorët mediatikë ndaj këtij fenomeni. Sipas saj, krahas Kodit dhe rregulloreve duhet të rritet edhe mbështetja për ekspertë për edukimin e medias.

Drejtori i Programeve në AMA Arben Muka solli gjetje dhe raste konkrete të monitorimit gjatë raportitimit për kronikën e zezë, transmetimin e filmave me përmbajtje të papërshtatshme, identifikimin e viktimave seksuale, videoklipet muzikore, rekamat e fshehura dhe reklamat e medikamenteve dhe gjuhën e shenjave.

Autoriteti i Mediave Audiovizive po punon me znj. Vasilika Hysin në cilësinë e ekspertes për hartimin e Kodit të Ri të transmetimit. Ajo bëri një prezantim të momenteve më të rëndësishme në të cilat do të preket Kodi Aktual dhe ato që kanë nevojë të shtohen apo planifikohen. Sipas saj, zhvillimet teknologjike por dhe shumë dokumente ndërkombëtare në fushën e medias e bëjnë të domosdoshëm ndërhyrjen dhe përafrimin e këtij dokumenti me praktikat më të mira. Fushat që do të trajtohen janë “ Përmbajtjet për fëmijë,  gratë dhe vajzat, personat me aftësi të kufizuar, Gjuha e urrejtjes dhe mbrojtja e viktimave.

Ky ishte takimi i parë hapës, i planifikuar në kuadër të Rishikimit të Kodit të Transmetimit. Autoriteti i Mediave Audiovizive do të vijë diskutimin e këtij dokumenti me të gjithë grupet e interesit dhe më tej konsultimin publik me qëllim hartimin e një dokumenti të kuptueshëm, të zbatueshëm, që garanton besueshmëri dhe barazi.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!