Alternativë e re politike? Patozi: Do ketë sukses të garantuar

schedule21:44 - 8 Prill, 2019

schedule 21:44 - 8 Prill, 2019

Demokrati Astrit Patozi është shprehur se nëse lind një alternativë e re politike në këtë moment krize, atëherë ajo do jetë e mirëpritur dhe do ketë sukses të garantuar. Këto deklarata ai i bëri në emision “Byro Politike”, ku foli edhe për analizën e Elez Biberajt që ka shkaktuar debate mes palëve në vend.

Juli Xhokaxhi: Zoti Patozi a është ky momenti kur mund të lindin alternativa të reja politike?

Astrit Patozi: Ky është një moment shumë i mirë dhe unë them që çdo alternativë e re është e mirëpritur. Unë kam lexuar me shumë kureshtje një analizë të zotit Elez Biberaj, i cili bënte një panoramë të gjendjes në Shqipëri. E çuditshme ishte, madje dhe qesharake do thoja debati që u hap për analizën e Elez Biberaj. Të dy palët akuzonin njëra-tjetrën. Por pash këta palët ndërluftuese që kanë secili mediat e tyre dhe sulmonin njëri-tjetrin për censurë të Elez Biberajt. Në fakt analiza e tij ishte brilante sipas meje dhe ishte një analizë shumë e qartë e një shqiptaro-amerikani. Edi Rama ishte vizatuar siç është tek analiza e Biberajt, po ashtu dhe Lulzim Basha, por edhe i gjithë klasa politike shqiptare në këto 30-vjet përfshirë edhe mua po të duash. Kjo klasë politike ka përgjegjësit e saj të cilat nuk i mban, ku të mbash përgjegjësi do të thotë të ikësh, të ikësh dhe fare kur duhet dhe të hysh edhe në burg nëse e ke bërë veten për burg.  E nëse nuk bëjnë këta të trija të paktën të kërkojnë ndjesë për atë që ka ndodhur, por as këtë nuk e bëjnë. Dhe tani mërziten pse ka shkruan Elez Biberaj, i cili arrin në përfundim që këta dinozaurët që ne po flasim i kanë ezauruar idetë e tyre për Shqipërinë. Këta nuk ka çfarë të japin më dhe duhet të ua lënë vendin të tjerëve, më të rinjve nëse kjo shoqëri do t’i pjellë. Dhe unë them që është momenti më oportun që çdo alternativë e re që del është e mirëpritur dhe them se ka edhe suksesin me vete./abcnews.al