Paraditen kësaj të premte ka mbërritur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, (SPAK) Alma Kaçi, e cila u përfshi në një video me Safet Gjicin duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e këtij të fundit, teksa mbante postin e kryetarit të Bashkisë së Kukësit.
Gazetari i ABC News, Ermal Vija raporton se Kaçit pritet t’i komunikohet zyrtarisht akuza për korrupsion aktiv.
“Prej pak minutash Alma Kaçi është paraqitur në Prokuriorinë e Posaçme, ku prokurorja Manjola Kajana do t’i komunijokë zyrtarish akuzën e korrupsionit aktiv, Bëhet fjalë për një video-skandal që është publikuar në qershor, ku Alma Kaçi shfaqet në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Kukësit asokohe Safet Gjicit, ku pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale, ata të dy bisedojnë edhe në lidhje për një tender sa i takon rehabilitimit të qenve të rrugëve. Ndaj Safet Gjicit është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”, ndërsa ndaj Alma Kaçit është caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie”. Është një komunikim zyrtar akuze, që përveç Alma Kaçit, do t’i komunikohet e njëjta akuzë edhe ish kreut të Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici”, raportoi gazetari Vija.
Ndërkaq, të enjten, SPAK mbylli hetimet për Safet Gjicin dhe Alma Kaçin. SPAK ka dërguar kërkesën për gjykim ndaj ish-kryebashkiakut të Kukësit për veprën penale ‘korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror apo i të zgjedhurve vendor’, ndërsa Kaçi akuzohet për ‘korrupsion aktiv’.
Safet Gjici ra në pranga në qershor të këtij viti, pak javë pasi ishte rizgjedhur në krye të Bashkisë së qytetit verilindor. Ai shfaqej në disa pamje filmike të regjistruara në zyrën e tij nga shtetësja Alma Kaçi duke kryer veprime të turpshme, ndërsa kjo e fundit i kërkonte ta favorizonte në një projekt për rehabilitimin dhe strehimin e qenve.
Prej kësaj kohe Gjici ndodhet prapa hekurave, ndërsa Kaçi në arrest shtëpie./abcnews.al