Juventusit e nis fazën e grupeve të Champions League jashtë, teksa ka udhëtuar në Paris për t’u përballur me PSG-në, një ndeshje që pritet të jetë e luftuar mes dy ekipeve.
Trajneri Max Allegri do të duhet të bëjë pa Angel Di Maria, i cili mbeti në Torino për shkak të dëmtimit, dhe do të fokusojë gjithçka tek sulmuesi Dushan Vlahovic, si dhe tek ish- lojtari i parizienëve, Leandro Paredes.
“Kemi përballë një kundërshtar që është ndër më të fortët në Evropë, dhe këtë vit është favoriti numër një për të ngritur trofeun. Nesër do të jetë një lojë e mirë për t’u luajtur. Sigurisht që do të bëjmë maksimumin për të marrë fitoren. Duhen 10 pikë për të kaluar grupin, le të mendojmë për këtë fillimisht. Është një test i rëndësishëm në një stadium të madh. Nesër do të flasë ndeshja përmes menaxhimit të topit, ata kanë shumë teknikë.
Messi, Neymar dhe Mbappe? Pavarësisht pozicionit, ata janë të jashtëzakonshëm. Ne duhet të jemi të mirë t’i kufizojmë kur ata kanë topin dhe veçanërisht kur ne e kemi në zotërim”, ka theksuar Allegri. /f.a/abcnews.al