All Star Game/ Triumfon skuadra e Lebron James, MVP shpallet Kawhi Leonard

schedule15:23 - 17 Shkurt, 2020

schedule 15:23 - 17 Shkurt, 2020

Skuadra e udhëhequr nga LeBron James fitoi Ndeshjen e Yjeve në basketbollin amerikan. Në Çikago ishte një spektakël i vërtetë, ndërsa lojtari më i mirë u shpall Kawhi Leonard, duke fituar trofeun me emrin e legjendës, Kobe Bryant

Numri 1 në fushë nuk ishte asnjëri prej kapitenëve. Ylli i LA Clippers, Kawhi Leonard, kampioni në fuqi i NBA-së, realizoi 30 pikë në Ndeshjen e Yjeve që u fitua nga skuadra e LeBron James dhe bëri diferencën, me aq sa mund të bëhet në një duel spektakli.

Shifrat ishin 157-155, në një finish dramatik, të vendosur nga gjuajtjet e lira të Anthony Davis, ndërsa publiku prej gati 18 000 spektatorësh në Arenën e Çikagos e mori atë që donte. Vetë LeBron, kapiteni i ekipit të tij, shënoi 23 pikë, si dhe pati 5 topa në tabela e 6 asiste në gati 19 minuta lojë.

Giannis Antetokounmpo, kapiteni i skuadrës tjetër, shënoi 25 pikë, kapi 11 topa në tabela e shërbeu 4 asiste, duke vjedhur një top e bllokuar 3 gjuajtje, por ishte në fushë për më shumë minuta, 31.

Kawhi Leonard pati edhe një arritje të rëndësishme, pasi u shpall Lojtari më i mirë i ndeshjes, duke fituar trofeun e emërtuar Kobe Bryant, për nder të legjendës së Lakers, të shuar në aksident vetëm pak ditë më parë.

Në vetëm 20 minuta, ylli i Clippers realizoi 30 pikë, kapi 7 topa në tabela, shërbeu 4 asiste dhe vodhi 2 topa me fanellën e Skuadrës së LeBron. Anthont Davis realizoi 20 pikë, po për ekipin e LeBron, James Harden 11 dhe Luka Doncic 8.

Në ekipin e Giannis, Embiid realizoi 22 pikë, Walker 23, Gober 21. Spektakli tradicional, i 69-ti në histori, u vlerësua si një nga më të bukurit e realizuar ndonjëherë në Ndeshjet e Yjeve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!