“Alkooli më shkatërroi jetën”, 60-vjeçari i penduar: Mi mori të gjitha, edhe familjen!

schedule17:15 - 31 Maj, 2025

schedule 17:15 - 31 Maj, 2025

TIRANË- Kur një gotë bëhet ves, dhe vesi një sëmundje e rrezikshme.

“Alkooli ka qenë fatkeqësia ime më e madhe, që s’ja fal vetes”. Më ka dëmtuar gjithçka. Ça kam pas ndërtuar për mrekulli, i kam hedh të gjitha poshtë”

Këto janë fjalët e një 60-vjeçari nga Tirana, i cili prej më shumë se  3 dekadash ka krijuar varësi nga alkooli. Kujtimi ishte rreth të tridhjetave, kur nisi të abuzonte me alkoolin, dhe  sipas tij, gjithçka nisi si një furtunë, pa e kuptuar. Pa dashur me u shfajësuar, Kujtimi për këtë zgjedhje gishtin e drejton drejt shoqërisë.

“I varur nga alkooli, bëj rreth 60 vjet tani, dhe që në 92 i varur nga alkooli. Alkooli ka ata të vetat, e fillon si padashje dhe vjen një moment nuk e lë dot. Është si duhani, vesë është. Me shoqërinë nis çdo gjë. Shoqëria, të prish ose të rregullon, mua më kapi për keq.”

Përveç kafeneve, edhe spitalet janë bërë të pandashmë për 60 vjeçarin. Ku herë pas here nis terapinë për lënien e alkoolit, por siç thotë fjala e urtë, vesi del me shpirtin. Ves që i kushtoi shumë, deri në shkatërrimin e familjes.

“Kjo është e treta herë që shtrohem për terapi. Dy herë jam shtruar nga 7 ditë, këtë herë e kemi lënë 5 ditë, me dozë më të avancuar.  Unë nga alkooli nuk kam parë asnjë të mirë, vetëm të këqija. Herën e parë kur u shtrova e përjetova keq, nusja më kërkonte divorcin”

Alkooli nuk i mori vetëm kohën më të bukur me familjen, por, edhe bukën e fëmijëve, pasi humbi vendin e punës.

“Sektor privat isha më ndryshe, ndërsa në administratë ka kontaktin me njerëzit. Ajo aroma e alkoolit edhe qentë e rrugës i tërbon jo më njerëzit. Humba punën për shkak të alkoolit”

Punë gjeti, por, alkoolin se la. Ai thotë se paga si del vetëm për alkool.

“Rrogën se kam të keqe, marr rreth 800 mijë lekë në muaj, ama s’më dalin lekët vetëm nga alkooli. Nuk më dalin, dua të paktën 10 mijë lek në ditë.”

Alkooli më ka shpërfytyruar thotë 60 vjeçari, ndërsa thellë brenda vetes ndjen frikën e braktisjes nga njerëzit e zemrës. Pa hezitim Kujtimi ndalet në etiketimet që njerëzit i bëjn rrugës, kur e shohin të dehur.

“Kush isha e kush jam. Po të vish në lagjen time e të pyesësh ça thonë. Të duket vetja ordiner, po nuk ta thonë. O kaloi ky pijaneci, ose te dyqani o sa paske pirë. S’të do njeri, të braktisin të gjithë. Mbase s’ta thonë me fjalë, po i braktisur je. Flasin me njëri tjetrin, ja erdhi ky pijaneci. Ajo që nuk thuhet, najherë të vret më shumë. Në autobus më vjen zor të hipi, nga aroma e pakëndshme e gojës. Vjen zor, mbaj frymën. Kthejnë kokën me një përçmim të paparë. Në punë përdor çamçakëz e gjeth dafine, prape se prape era e alkoolit nuk ikën. Era e alkoolit ngjitet si në lëkurë. Ime shoqe ma ka thënë shprehimisht, edhe trupi të mban era alkool”

Përveç peshës morale, babai i dy fëmijëve, ndalet edhe tek problemet shëndetësore, të cilat faktor kryesor kanë abuzimin me alkoolin.

“Nuk kam pas pirë asgjë, tani ça nuk pi. Mëlçia ime është bërë drejt cirozës. Më dridhen duart. Kam pas problem edhe me këmbët…. Të duket vetja sikur çalon, por ke mpirje të nervave”

Koha nuk kthehet, por, Kujtimi ka pengje të parikuperueshme në jetë.

“Gjithçka. Alkooli e para, po mos të pija do isha tjetër njeri sot. Do isha më i ri, alkooli to bën të gjitha, të shpërfytyron. Të bën laparak, pa lek në xhep. Vjen fundi i muajit edhe ti kërkosh lek djalit apo nuses, nuk ka gjë më të keqe për një burrë”

Alkooli nuk vret vetëm atë që e konsumon, por, edhe anëtarët e tjerë të familjes. Alkooli nuk dëmtoi vetëm Kujtimin, por, edhe nënë e tij të moshuar dhe dy djemtë e gruan.

“Sa herë vjen. Hap derën tek unë thotë bobo si vjen era si me pas thy bidonat. Prape ke pi ti më thotë. Nëna ime plasi, sa të dëgjoj erën e alkoolit. Në spital iki pa e ditë”

Me peshën e fajit, që i rëndon mbi supe dhe me lotët që rrjedhin porsi fëmijë, mbi faqen me rrudha, Kujtimi i kërkon falje familjes për çdo lot të derdhur, dhe për çdo natë pa gjumë që iu ka shkaktuar.

“S’do kem mundësi t’ju kërkoj falje kurrë. Iu kam dhënë stres të paparë. Ata kurrë s’ma kanë thënë një fjalë të keqe”

Kjo është hera e tretë që Kujtimi kërkon ndihmë te bluzat e bardha në QSUT për lënien e alkoolit, dhe me besimin në Zot, 60 vjeçari thotë që do të heqë dorë njëherë e mirë nga ky ves, në të kundërt është i vetëdishëm për atë që e pret.

“Nuk kam rrugë tjetër. Pres të bëhem me nip. Po se lash do iki tek të shumtit”

E përjetuar nën lëkure, Kujtimi lë këtë mesazh.

“Të heqin dorë nga varësia, nga çdo varësi….”, tha ai/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!