Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Beratit Tomorr Alizoti ka komentuar nisjen e vaksinimit në qytetin e Beratit dhe vizitën e kryeministrit Edi Rama në këtë qytet.
Alizoti shkruan se daullet propagandistike të kryeministrit Edi Rama janë instrumenti aktiviteti i tij thelbësor qeverisës në përpjekje për të hutuar dhe mashtruar njerëzit e thjeshtë. Nga ana tjetër Alizoti thekson se në spitalin e Beratit nuk ka vende, skaneri ka dy javë që nuk punon si dhe mungon testet, medikamentet antivirale, holluesi i gjakut dhe oksigjeni.
“Mes zhurmës së daulleve të propagandës kryeministri Rama shkoi në Berat për të inauguruar nisjen e procesit të vaksinimit për covid 19. Këto daulle të propagandës ka kohë që janë instrumenti dhe aktiviteti i tij thelbësor qeverisës në përpjekje për të hutuar dhe mashtruar njerëzit e thjeshtë, popullin e vendit tonë, qytetarët e Beratit dhe të kujtdo tjetër.
Këto daulle bëhen të pështira dhe të padurueshme kur pasi janë lënë në mëshirën e mjerimit dhe të grabitjes prej pushtetit, kur u është rrëmbyer shpresa ata, njerëzit e zakonshëm, janë braktisur prej kohësh nën dramën që ka shkaktuar pandemia, nën dhimbjen që shkakton pafuqia për të përballuar sëmundje apo nën pamundësitë për të blerë edhe ilaçet më të thjeshta. Sot kur kryeministri nisi këtë proces vaksinimi, jashtëzakonisht të ngadaltë, në spitalin e Beratit gjendja është e tmerrshme.
Në spitalin e Beratit nuk mund të shtrohet njeri sespe nuk ka vende. Në spitalin e Beratit skaneri ka dy javë që nuk punon. Spitali infektiv është i “pushtuar” nga materniteti për shkak të rikonstruksionit dhe dhomat e pacientëve apo të mjekëve janë të improvizuara. Për pandeminë covid 19 nuk ka teste, nuk ka medikamente antivirale, nuk ka hollues gjaku, nuk ka oksigjen.
Spitali në Berat është në një gjendje të patregueshme, sikur qyteti sapo ka dalë nga një luftë e madhe dhe spitali është vetëm një improvizim momental. Kryeministri i mendon njerëzit dhe qytetarët e Beratit si objekte që mund të shërbejnë për vota apo për të kryer aktin e radhës së propagandës. Të vish në Berat në kushte të tilla dhe të flasësh për vaksinim kur i ke braktisur dhe poshtëruar për kaq kohë është mizore dhe e papranueshme. Berati është një qytet me kulturë dhe inteligjencë të veçantë dhe do ta tregojë forcën e vet ndaj këtyre padrejtësive”, shkruan Alizoti./mv.abcnews.al