Fidan Aliti mund të sjellë të ardhura të rëndësishme te Skënderbeu. Mbrojtësi i transferuar te Kalmar në Suedi raportohet se është në listën e objektivave të klubit turk të Besiktas. Nga transferimi i tij nuk do të përfitonte vetëm klubi aktual i tij.
Kalmar për Alitin pati paguar 150 mijë euro te Skënderbeu, që ruan ende një përqindje të kartonit, saktësisht 25%. Kështu, në Korçë shpresojnë që titullari i përfaqësueses së Kosovës të shitet për një shifër sa më të lartë, në mënyrë që të përfitojë.
Skënderbeu në fillim për Alitin tentonte të përfitonte 400-500 mijë euro, por më pas i uli pretendimet. Gjithsesi ata mund ta kapin tani atë shifër, nëse mbrojtësi qendror shitet për të paktën 1 milion euro.
Në këtë periudhe krize prej pandemisë së COVID-19, në Korçë do festonin gjatë nëse në arkat e tyre do të derdheshin para të tjera nga shitja e Alitit. /abcnews.al