Enkelejd Alibeaj ditën e sotme ka mbledhur Grupin Parlamentar të PD-së ku pritet të diskutohen çështje të brendshme të partisë dhe për emrin e ri të Presidentit.
Sali Berisha në një deklaratë për mediet jashtë selisë së PD-së u shpreh se Alibeaj nuk ka asnjë tagër në parti, përveçse autoritetit që i jep Edi Rama.
Berisha: Përveç autoritetit që i jep Rama, Alibeaj nuk ka asnjë autoritet dhe tagër nga PD. Çdo veprim i tij është sintonizim i një farse të shpifur të zgjedhjes së Presidentit nga Edi Rama me kallp opozitën.
Ish-kryeministri u ndal edhe te vota e emigrantëve shqiptarë dhe kishte një paralajmërim për kryeministrin Rama.
Berisha: Por meqë jam këtu dua të dënoj me ashpërsinë më të madhe pikëpamjen e Edi Ramës të konsiderimit të emigracionit dhe diasporës si një zonë e veçantë elektorale, e paralajmëroj këtu që mos të luajë me të drejtën dhe lirinë e shqiptarëve që janë në të katërt anën e botës. Ata do ushtrojnë të drejtën e votës së tyre për kandidatët e qyteteve apo zonave të tyre të origjinës. Sot teknologjia online e bën 100% të mundshme. Çdo përpjeke e Ramës që shprehu përmes veglës së tij Alibeaj është një përpjekje anti demokratike dhe anti shqiptare. Është një fyerje e madhe që u bëhet emigrantëve dhe diasporës në të katër anët. Do të hase kjo në një rezistencë të madhe.
Lexo edhe: “Prishi marrëveshjen me opozitën”, mblidhet grupi parlamentar i PD-së, Bardhi: Rama e ka paracaktuar Presidentin
Më 22 maj, Berisha u zgjodh në krye të PD-së. Por ajo që ra në sy, ishte se asnjë nga ndërkombëtarët nuk e uroi. Sali Berisha kishte një përgjigje edhe për këtë.
Berisha: Nuk mbaj mend kur jam zgjedhur herët e tjetra të kem pasur ambasadorë që të më kenë uruar. Unë nuk mbaj mend në memorien time një gjë të tillë./abcnews.al/