Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas zbulimit të mesazheve mes deputetit Flamur Noka dhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla. Kamerat fiksuan celularin e Nokës, i cili dukej se i kërkonte kryeparlamentares që t’i jepte sërish fjalën Sali Berishës.
Sakaq, Alibeaj shkruan se Berisha dhe Rama bashkëpunojnë ngushtë në biznese dhe në luftën kundër PD. “Nga njëra anë ndajnë pazare dhe koordinojnë luftën kundër PD, nga ana tjetër foltorexhinjte non-grata sulmojnë lidershipin e PD. Kushdo me sy në ballë e mend në kokë e kupton tashmë se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, që është PD. Rama dhe Berisha janë njësoj. Zgjidh Ramën dhe merr edhe Berishën. Zgjidh Berishën dhe merr Ramën”, shkruan Alibeaj.
Lexo edhe: “Lëre edhe njëherë Berishën”, dalin mesazhet, Noka i shkruan Nikollës
Reagimi i plotë:
Që prej 9 shtatorit, Sali Berisha, për të hequr vëmendjen nga non grata e tij për korrupsion, ka nisur një fushatë të turpshme shpifjesh e mashtrimesh kundër lidershpit të PD. Ndërsa hedh mashtrime nga më ordineret, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë të pasurohen duke bashkëpunuar me Edi Ramën dhe qeverinë e tij.
Edi Ramës i duhet një njeri si Sali Berisha, ish-kryeministri i vetëm në Europë i shpallur non grata për korrupsion, një njeri i izoluar nga SHBA dhe BE. Prandaj Rama i ka vënë në dispozicion gjithë makinerinë e propagandës së tij duke bashkëpunuar më së miri me të, siç ndodh dhe në këtë komunikim të kapur nga mediat ku Flamur Noka bashkërendon me Ulsi Manjën dhe Lindita Nikollen.
Nga njëra anë ndajnë pazare dhe koordinojnë luftën kundër PD, nga ana tjetër foltorexhinjte non-grata sulmojnë lidershipin e PD. Kushdo me sy në ballë e mend në kokë e kupton tashmë se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, që është PD. Rama dhe Berisha janë njësoj. Zgjidh Ramën dhe merr edhe Berishën. Zgjidh Berishën dhe merr Ramën.
g.v/abcnews.al