Kreu i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj ka renditur arsyet se përse Partia Demokratike ka votuar sot pro zgjatjes së mandatit të Vetingut. Vota pro nga ana e Alibeajt është arsyetuar duke e lidhur me disa faktorë, më i rëndësishmi sipas tij interesi i opinionit publik. Alibeaj ka hedhur poshtë çdo aludim për pazar politik në këmbim të votës së zgjatjes së Vetingut.
“Me të drejtë të zotit dhe me moral ne të opozitës do të duhet të votonim kundër zgjatjes së vetingut, së pari për koherencë morale sepse ua kemi thënë e parashikuar kur reforma në drejtësi e vetingu duhet të kishin përfunduar. Po të ishim vetëm individë duhet të kishim mbajtur këtë qëndrim. Një pjesë e madhe kanë thënë se reforma nuk bën reforma është e dështuar sot duhet të kishin marrë përgjegjësi me votë pro apo kundër. Pyetja e madhe për të gjithë është se çdo të bëjmë me këtë karakatinë në të cilën është shndërruar drejtësia bashke me të edhe vetingu? Ne ishim për të votuar kundër por pesha e përgjegjësisë, ama shërbimi që do duhet ti bëjmë publikut është ai që duhet të na inspirojë, prandaj votuam pro. E di që banaçet televizive do thonë gëlltitët atë që keni thënë gjithë këto kohë e bashkuat votat, por interesi publik duhet të prevalojë. Ndërkombëtarëve ua kemi thënë situatën e keqe në të cilën ndodhet drejtësia, vetingu. Dikur e kemi thënë se kjo është reforma e ndërkombëtarëve po ky ishte një detyrim që duhet ta bëjmë, kjo është arsyeja e parë por jo më kryesorja.
Testi i dytë është lufta ndaj korrupsionit. Drejtues të lartë të administratës, bashkiakë e ministra të PS janë në burg, mund të jetë kjo edhe e orkestruar nga ky që rri pas, se sa herë vjen rreziku tek ti e kalon tek këta. Megjithatë dua ta shoh në sensin pozitiv. Lufta ndaj korrupsionit në këtë jemi në të njëjtën linjë dhe gjatësi vale me ndërkombëtarët, ja pse ne s’e bëmë atë pazarin politik më jep këtë të të jap këtë. Së treti integrimi. Ata që janë në Bruksel kanë thënë se një nga kushtet që Shqipëria të ecë para me vetingun një nga kushtet është kjo. Mund të ketë edhe nga ata që thonë se jemi të kompleksuar, për 6 vite p[o kemi qenë të kompleksuar na ka përndjekur ideja se ne jemi kundër reformës në drejtësi, ne s’kemi qenë kundër reformës në drejtësi, u shndërruam si pengues, jo nuk jemi pengues dhe shembulli është sot. Ne kemi vetëm një virtyt që zor se gjendet në arenën ndërkombëtare. Kjo është arsyeja kryesore prandaj votojmë pro zgjatjes së vetingut. I kemi të gjitha arsyet modelet shembujt motivin dhe frymëzimin për tua thënë shqiptarëve këta jemi ne. U aludua për pazare imoralitet? Them edhe njëherë kthejuni ligjeve të 2017 atëherë kur kaloi me konsensus reforma kushtetuese, duhet të kalonin dhe ligjet. Kanalet janë aty të shohin se kush janë ata që votuan. E fundit, sot nuk ka duartrokitje, jehona e tyre është fikur, kjo duhet të jetë në veshët e kujtdo. Me reformën nuk bëhet politikë dhe teka politike”, tha Alibeaj.
“Sot 6 vjet më pas duartrokitje nuk ka. Jehona është shuar. Ka arsye të forta, kapja politike është më se e dukshme. Selektiviteti ka shkuar deri në Strasburg. Të gjitha këto defekte që e kanë cenuar reformën në drejtësi janë në sytë e shqiptarëve. Drejtori i RTSH i emëruar nga ai që sot nuk ishte është në burg, kryebashkiaku i Lushnjes është në burg, 2 ministra janë në burg e mesa duket pritet i tretë. Po kjo është fakt, në këtë situatë kemi thënë se reforma filloi mbrapsht kur ligjet u miratuan në mënyrë të njëanshme dhe kush do e kuptonte në atë kohë që u votuan në mënyrë të njëanshme“, shtoi ai.
Kuvendi ka miratuar ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publik. Në total kanë qenë 118 vota pro zgjatjes së afateve të organeve të Vetingut, 0 kundër dhe katër abstenim. Partia Demokratike e zyrtarizoi votën pro zgjatjes së afateve të Vetingut pak para nisjes së vetingut. /abcnews.al