Alibeaj mbledh nesër kryesinë, deputetët njoftojnë bojkotin: “Luftë” numrash brenda Grupit Parlamentar të PD

schedule16:34 - 8 Maj, 2022

schedule 16:34 - 8 Maj, 2022

Nga Juxhin Mustafaraj

Ndarja e demokratëve që nisi me bojkotin e rreth 35 deputetëve të grupit parlamentar në Kuvendin e thirrur nga Komisioni i Rithemelimit ka nisur të reflektohet në të gjitha organet drejtuese të Partisë Demokratike.

Pas shkarkimit të Enkelejd Alibeajt, deputetët që njohin vetëm Komisionin e Rithemelimit si organ drejtues në PD, refuzojnë të marrin pjesë në mbledhjet e thirrura prej tij. Mëngjesin e të hënës, Alibeaj ka thirrur kryesinë e grupit parlamentar për të diskutuar mbi agjendën e grupit të PD, por sërish anëtarët e komisionit të rithemelimelimit do të mungojnë.

Për Abc disa prej deputetëve konfirmuan mungesën, duke sqaruar se ata që e kanë thirrur mbledhjen nuk kanë tagër për vendimmarrje.

Edhe në mbledhjen që Alibeaj ka njoftuar për deputetët e PD mesditën e të hënës në orën 14:00, tre orë përpara seancës së pasdites, sërish pritet që deputetët e Komisionit të Rithemelimit të mungojnë.

Ajo që bie në sy në mbledhjet e thirrura nga Alibeaj është fakti se krahas bojkotit nga deputetët e “Rithemelimit” është edhe mungesa e rrethe 15 deputetëve të grupit parlamentar që kanë zgjedhur të mbajnë një pozicion të baraslarguar nga të dy grupet që po përballen brenda PD.

Ndarja e grupit parlamentar u konstatua edhe në mbledhjen e këshillit kombëtar të PD, të cilin Enkelejd Alibeaj nuk e njeh si të ligjshëm.

Por kjo ndarje e grupit parlamentar të PD vjen në një kohë që mazhoranca vazhdimisht drejton thirrje drejtë opozitës sa i takon negociatave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Alibeaj e ka shprehur bindjen për përfshirjen në negociata me shumicën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, teksa Këshilli Kombëtar i PD vendosi përmes një rezolute kushte për shumicën për një proces serioz sa i takon zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.

Lufta e numrave brenda grupit parlamentar të PD do të përcaktojë se cili nga grupimet do të arrijë të ketë shumicën dhe rrjedhimisht forcën e vendimmarrjeve për negociatat e Presidentit, gjithsesi ndarja e demokratëve duket e thellë dhe përtej një procesi kushtetues ku shumica i ka votat për ta zgjedhur edhe e vetme kreun e ri të shtetit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!