Alibeaj: Berisha orientoi turmën drejt selisë, sot fillon kapitulli i ri për PD

schedule21:16 - 8 Janar, 2022

schedule 21:16 - 8 Janar, 2022

Deputeti i PD Enkelejd Alibeaj shkruan se protesta e dhunshme në selinë e PD është orkestruar nga ish-kryeministri Sali Berisha. E ndërsa e quan protestën e dhunshme një sulm të turpshëm, Alibeaj thotë se kjo ishte dita e fundit e Berishës në politikë dhe një fillim i ri për PD.

“Demokratët, shqiptarët dhe bota mbarë e pa se si Sali Berisha orkestroi dhe udhëhoqi një sulm kriminal mbi Partinë Demokratike për ta shndërruar atë në një bunker për hallin e tij personal. Ky sulm i turpshëm do të mbahet mend si dita e tij e fundit në politikë dhe si fillimi i një kapitulli të ri për Partinë Demokratike, të çliruar nga hijet e të shkuarës, nga dhuna dhe mentaliteti komunist”!

Deputeti i PD referuar pamjeve nga protesta thotë se ish-kryeministri ka orkestruar protestën duke u bërë me shenjë të gjithë protestuesve të mësyjnë drejt selisë blu. Sot selia blu u shndërrua në një arenë dhune e përplasjeje pasi mbështetësit e ish-kryeministrit sulmuan ambientet e godinës. Që në orët e para të paradites së sotme në selinë blu filluan të mblidheshin mbështetës e protestues, por turma më e madhe ishte ajo që erdhi bashkë me ish-kryeministrin Berisha. Ndërkohë dhunën në protestën e sotme e kanë dënuar përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, ambasada e SHBA. Protesta bëri jehonë edhe në media ndërkombëtare. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!