Alibali: Nuk kam pritshmëri për bashkimin e PD-së. Nazarko: Problemi do mbetet në Apel edhe pas “lokaleve”

schedule21:40 - 18 Tetor, 2022

schedule 21:40 - 18 Tetor, 2022

Analisti Neritan Alibali, i ftuar në emisionin “Log.” në Abc me gazetarin Endri Xhafo deklaroi se nuk ka pritshmëri të mëdha se mund të arrihet ndonjë marrëveshje pas takimit Bardhi-Paloka.

Alibali: Nuk kam pritshmëri se grupi i Alibejat do tërheqë kërkesën nga Gjykata dhe do shkohet drejt bashkimit. Mund të jetë e lehtë në parim të arrihet marrëveshja, por do jetë e vështirë që disa pyetjeve t’i jepet përgjigje. Ne këtu flasim për një kandidat për kryetar bashkie. Këto dy grupe janë ndarë. Grupi i Alibeaj janë ndarë për hir të mospranimit të Berishës pas 9 shtatorit (Lulzim Basha pezulloi Berishën nga Grupi Parlamentar pas shpalljes non grata). A do jetë Alibeaj në krah të Berishës? Palët janë ndarë shumë keq dhe nuk mendoj se arritje e një marrëveshjeje për një kandidat do arrijë të shërojë plagët e hapura gjatë këtij viti. Njëanshmëria mu duk si një vijë e kuqe e përcaktuar nga Grupi i Alibeajt.

Nga ana tjetër analisti Mentor Nazarko mendon se probleme do të ketë edhe me listën e kandidatëve për zgjedhjet e 2023. Për më tepër, ai mendon se procesi i primareve nuk mund të demokratizojë Partinë Demokratike, pasi demokracia e brendshme është e ngurtë.

Nazarko: Kompromis do bëhet pa u tërhequr padia. Problemi do ngelet edhe pas zgjedhjeve lokale. Problem tjetër në këto zgjedhje është edhe lista. Grupi i zotit Alibeaj nuk ka kandidat për kryetar, por me siguri do ketë problem për listën. Kur shkohet puna te rruga, te instrumenti sepse tha diçka Alibeaj, tha na duhet një kandidat i përbashkët dhe fitues”, cili është instrumenti proporcional që garanton se kandidati do të jetë fitues. Nuk pres mekanizma demokratizues në një afat kaq të shkurtër në një parti që është e ngurosur për sa i përket demokracisë së brendshme. Edhe sondazhi është e njëjta gjë. /Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!