Skënderbeu ka mjaftueshëm probleme, ndërkohë që i shtohen edhe të tjera. Ali Sowe, sulmuesi nga Gambia, pret që të marrë atë që i takon nga eksperienca me korçarët në Superiore. Golashënuesi i kampionatin tonë, para dy sezonesh, e çoi çështjen ne FIFA dhe duhet të merrte rreth 38 mijë euro nga klubi juglindor.
Gjithçka ndodhi janarin e vitit të kaluar, por dy muaj më pas pati një marrëveshje mes Sowe dhe Skënderbeut, që duhet të paguante vetëm 23500 euro. 13500 euro shtatë ditë nga nënshkrimi i marrëveshjes, ndërsa 10 mijë të tjera deri më 30 prill të vitit 2019.
Korçarët nuk e respektuan marrëveshjen dhe kështu më 27 maj 2019, përfaqësuesi i Sowe, i dha edhe 48 orë kohë Skënderbeut të respektonte marrëveshjen, gjë që nuk ndodhi. Kështu ajo ra poshtë dhe Skënderbeu tani duhet ta paguante shumën e plotë, 38144 euro (vetëm 13500 euro ka shlyer klubi korçar ).
Kështu, Sowe pret që në llogarinë e tij të shkojnë 24644 euro, plus 5 mijë euro të tjera që ishin përfshirë në marrëveshje, në rast se Skënderbeu e shkelte atë. Më 20 shkurt FIFA ka vendosur pro lojtari dhe presidenti Ardjan Takaj ka 45 ditë kohë që të shlyejë futbollistin, ndryshe rrezikojnë dënimin për të mos bërë merkato në tre dritare transferimesh radhazi.