Gazetari Alfred Lela thotë se funksioni i intervistës së ish-kryesocialistit Fatos Nano një natë më parë ka qenë “hedhja” e një ure për socialistët drejt Rilindjes.
Duke folur në studion e ABC me gazetaren Juli Xhokaxhi, Lela tha dyshimi për maxhorancën e Ramës është që nuk ka më PS por Rilindje. Ai shtoi se Nano nuk tha asnjë fjalë për të shkuarën e 8 viteve që lamë pas, por vetëm për të shkuarën e viteve 2000 që tashmë është më e qartë për të gjithë.
Lela u shpreh se në kohën kur Fatos Nano preferon Ramën dhe hedh poshtë Ilir Metën dhe Sali Berishën tregon që intervista është për qëllimet e tij dhe pro këtij pushteti.
“E shkuara më e afërt janë 8 vitet e fundit dhe nuk u dëgjua Nano të fliste për 8 vitet e shkuara. Ne do të prisnin mendjen inteligjente të Nanos të fliste pikërisht për këto 8 vite. Ndërsa për ’97 dhe 2001 e kemi të gjithë një ide. Me Metën nuk më çudit shumë. Marrëdhënia e tyre ka qenë e vështirë. Armiqësia mes llojit ka tendencë të mbetet edhe armiqësia më e fortë.
Më habit më shumë miqësia me Ramën. Ai ka lobuar shumë të bëhet president dhe Rama nuk ia ka dhënë kthyer këtë monedhë. Logjika e do që kur Nano preferon Ramën dhe hedh poshtë Metën dhe Berishën, tregon që është duke luajtur një lojë për qëllimet e tij pro këtij pushteti. Intervista ishte një anim, për të mos thënë shërbim.
Dyshimi për maxhorancën e Ramës është që nuk ka më PS, por Rilindje. Nano thotë se ka PS dhe mendoj që e bën këtë punë, hedh një urë të socialistëve për te Rilindja. Ky ishte funksioni i intervistës së mbrëmshme”, tha Lela ndër të tjera./mv.abcnews.al