Aleksis Sançez përfundon transferimin e tij të bujshëm tek Mançester Junajtid. Sulmuesi nga Kili firmosi një kontratë 4.5 vjeçare dhe do të ketë rrogën më të lartë në Premier Ligë.
Ulja ishte e suksesshme.
Avioni privat e zbriti shëndoshë Aleksis Sançezin në aeroportin e Mançesterit, dhe sulmuesi nga Kili ishte i lumtur.
Humori i tij ishte i ndryshëm nga moti i vranët me shi, dhe kjo sepse ai realizoi transferimin e jetës, tek Junajtidi.
Dita e parë ishte e shkëlqyer, siç ka ndodhur me çdo lojtar që ka shkuar në ekipin e ri, ndërsa përfundimisht Sançez shkeli në selinë e “djajve të kuq”.
Një vizitë e veçantë, e një lojtari special, që do të ketë pagesën më të lartë në Premier Ligën angleze për të gjitha kohët.
Ky djalosh jo shumë shtatlartë, por shumë mirë fizikisht, do të marrë gati 700 000 euro në javë, që do të thotë rreth 36 milionë euro në vit.
Ja edhe “Old Trafordi”, me koridoret e tij tipike angleze, dhe ja fanela e famshme me numrin 7.
Në të kaluarën, për Mançester Junajtidin, atë e kanë mbajtur legjenda si Brajan Robson, Erik Kantona, Dejvid Bekam apo Kristiano Ronaldo.
Tani do të jetë e Aleksis Sançezit, lojtarit që thotë kështu në intervistën e parë për klubin, që pagoi 40 milionë euro për kartonin e tij.
Sançez: “Që kur kam qenë djalë fare i ri gjithnjë kam thënë se ëndrra ime ishte që të luaja për Mançester Junajtidin, dhe kjo ëndërr u realizua. Këtë nuk po e them sepse sot jam këtu, por sepse kjo është e vërteta. Një herë fola edhe me Sër Aleks Fergusonin që të isha pjesë e skuadrës. Folëm për 20 minuta. Junajtid është një klub I madh, shumë I fuqishëm, më I shquari në Angli. Mendoj se me këtë skuadër mund të fitohet gjithçka, dhe këtë e thotë stema e tij. Unë dua që të fitoj Premier Ligën dhe Championsin, dua të fitoj çdo gjë që duhet fituar”.
Aleksis mund të jetë ndër të paktët futbollistë që nuk i thotë formalisht këto fjalë, pasi shpejt në Tuiter doli një foto që e tregonte fare të ri, me një xhaketë me stemën e Junajtidit.
Sançez shkeli për herë të parë si njeri i shtëpisë në tapetin e “Old Trafordit”, ndërsa ka qenë shpesh si kundërshtar me Arsenalin, duke filmuar këtë vizitë të parë nga e cila nuk deshi të humbiste asgjë.
Më pas, artisti i topit, luajti në piano si një artist i muzikës, duke e bërë edhe më të veçantë ceremoninë si lojtari i ri i Junajtidit.
Me skuadrën më fituese në Angli, kileni shpreson të fitojë shumë trofe.
Nuk vonoi shumë nënshkrimi, një firmë që i siguroi ish-yllit të Barcelonës një kontratë 4.5 vjeçare dhe një rrogë vërtet faraonike.
Spektakli jashtë fushe përfundoi, dhe tani ai është gati për futbollin./abcnews.al