Në përfundim të samitit maratonë, liderët e BE-së kanë nominuar personat që do të mbajnë postet kyçe në hierarkinë e Komisionit Europian. Mes tyre spikat aleatja e kancelares Angela Merkel, Ursula Fon der Lejen, që nëse votohet do të jetë e para grua presidente e KE-së.
Liderët e BE-së kanë zgjedhur ministren gjermane të Mbrojtjes, Ursula fon der Lejen për postin e presidentit të Komisionit Europian, pas një samiti maratonë 3-ditor. Nominimi i zonjës Fon der Lejen, një aleate e ngushtë e kancelares Angela Merkel, erdhi në formë surprize pasi emrat e konkurrentëve kryesorë për atë që konsiderohet si posti më i lartë në hierarkinë e BE-së u hodhën poshtë. Nëse miratohet nga Parlamenti Europian, atëherë Fon der Lejen do të jetë e para grua që bëhet presidente e Komisionit. Ndërkohë, kryeministri liberal i Belgjikës, Sharls Mishel është emëruar për të zëvendësuar Donald Tusk si kryetar i Këshillit Europian, ndërsa spanjolli Hozep Borell është propozuar si shefi i ri i Politikës së Jashtme.
Ndërkohë, shefja e FMN-së Kristinë Lagard është emëruar për të drejtuar Bankën Qendrore Europiane, post që aktualisht mbahet nga Mario Dragi, të cilit i janë atribuuar meritat për shpëtimin e euros gjatë krizës së borxhit që përfshiu Eurozonën. “Kemi rënë dakord për gjithçka përpara se të zhvillohet sesioni i parë i Parlamentit Europian”, deklaroi kreu në ikje i Këshillit Europian, Donald Tusk. Ai vlerësoi “balancimin perfekt gjinor” dhe saktësoi se Gjermania kishte abstenuar në votimin për nominimin e zonjës Fon der Lejen. Vetë kancelarja Angela Merkel u tha gazetarëve se abstenimi i saj kishte qenë në kuadër të një marrëveshjeje të arritur në radhët e koalicionit qeverisës në Berlin. Por pavarësisht optimizmit, ajo çfarë ka ngritur shqetësime është fakti se roli i liderëve të BE-së ka bërë që të anashkalohet ai i Parlamentit Europian, që voton për presidentin të mërkurën. /ABC News Albania 24/7